
Nata e terrorit të përjetuar në Paris mund të kishte përfshirë edhe ambientet e brendshme të “Stade de France”, ku spektatorët e pranishëm për të ndjekur sfidën miqësore mes Francës e Gjermanisë, pavarësisht nëse pak apo shumë të indinjuar për çfarë ndodhte jashtë, kanë kaluar gjithashtu momente paniku, të detyruar të qëndronin brenda stadiumit deri rreth mesnatës.
Megjithatë, prapaskenën më shokuese e rrëfen për “Wall Street Journal” një punonjës i sigurisë në detyrë për ndeshjen miqësore, Zouhier.
“Njëri prej atentatorëve është kontrolluar në hyrjen e stadiumit rreth 15 minuta pasi nisi ndeshja. Mbante veshur një jelek me eksplozivë dhe me t’u zbuluar u arratis nga sytë këmbët për t’u vetëvrarë më pas”.
Një agjent policie e ka konfirmuar ngjarjen dhe rrëfimin e punonjësit të sigurisë, duke shtuar se atentatori ishte në kërkim të ndonjë mundësie për ta hedhur veten në erë brenda stadiumit, në mënyrë që të shkaktonte dëme edhe më të mëdha në njerëz.
Vetëm 3 minuta më pas, një person i dytë kishte aktivizuar eksplozivin në pjesën lindore të stadiumit, ndërkohë që një kamikaz i tretë shkaktoi panik pranë një dyqani “McDonald’s”. Nga këto tre shpërthime humbi jetën një civil.
Rrëfimi i punonjësit të sigurisë mbyllet me: “Vetëm kur pashë Presidentin Hollande të evakuohej nga stadiumi, arrita të kuptoja se bëhej fjalë për kamikazë”.
Top Channel