Kryeprokurori i Parisit: Sulmet u kryen nga 3 grupe terroristësh

14/11/2015 20:10

Kryeprokurori i Parisit ka dalë me deklaratën e parë zyrtare për shtyp në lidhje me sulmet e së premtes, “ku 129 persona u vranë dhe mbi 350 të tjerë u plagosën”.

“Tre skuadra atentatorësh u përfshinë në sulmet në Paris. Tani na duhet të zbulojmë se nga vinin dhe se si ishin financuar”, ka deklaruar Francois Molins për mediat.

Molins ka nënvizuar se atentatorët ishin 7 vetë dhe jo 8 sikurse u raportua në fillim, “të gjithë të armatosur rëndë dhe të pajisur me jelek eksploziv”.

Prokurori ka konfirmuar më tej arrestimin e 3 personave në Belgjikë këtë të shtunë, në lidhje me sulmet. Raportimet e para flisnin për 5 të arrestuar në lagjen Molenbeek të Brukselit, si dhe për një tjetër të dyshuar të arrestuar në Londër.

Arrestimet janë njoftuar edhe nga kryeministri belg, Charles Michel, që ka deklaruar se një prej tyre kishte qenë në Paris të premten mbrëma.

Në vijim të deklaratës së tij, prokurori Molins ka pohuar se një nga atentatorët e vdekur ishte identifikuar si një 30-vjeçar francez me rekorde kriminale, por që nuk kishte qenë kurrë i dënuar me burgim.

Ai ka shtuar se, të 7 militantët përdorën armë automatike të tipit Kallashnikov dhe të njëjtin lloj eksplozivi në jelekët që mbanin veshur.

Ndërkohë, në raportime të tjera të mediave online bëhet e ditur se një nga kamikazët synonte të hynte dhe të hidhej në erë në stadiumin e Parisit ku po zhvillohej ndeshja Francë-Gjermani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA