Policia po vijon operacionin në shkallë të gjerë për kapjen e autorëve të vrasjes së ndodhur në Linzë. Në këtë operacion u angazhuan rreth 200 forca, të cilat ushtruan rreth 24 kontrolle në ambiente dhe banesa të ndryshme, të cilat ishin të dyshuara nga ana e Policisë.
Në këtë operacion u përfshinë forcat e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forcat Operacionale, në bashkëpunim më forcat speciale RENEA dhe FNSH-ja.
Si rezultat i këtij operacioni u kap shtetasi i shpallur në kërkim, Mirsad Kuçana, 28 vjeç, lindur në Bajram Curri dhe banues në Tiranë, ish-efektiv policie. Gjithashtu janë kapur edhe disa persona të tjerë, për të cilët po punohet në lidhje me ngjarjen.
Nga ana e strukturave të përmendura më sipër u ushtruan kontrolle me përmasa të mëdha, duke u shtrirë në disa qytete si, Tirana, Durrësi, Laçi. Qëllimi i këtij operacioni është kapja e autorëve të vrasjes së shtetasit Enton Nikaj dhe plagosjes së shtetasit me iniciale I.G., të ndodhur më 11 nëntor në Linzë.
Ndërkohë, Ervis Martinaj, i dyshuari kryesor i policisë për vrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj, konsiderohet nga Policia e Shtetit si një prej personave më të rrezikshëm, pasi agresiviteti i tij ka arritur deri në kërcënimin me vrasje të një oficeri të lartë të Policisë së Shtetit.
Bëhet fjalë për ngjarjen e 20 tetorit të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë” kundër lojërave të paligjshme të fatit, kur Ervis Martinaj kërcënoi me vrasje shefin e repartit special “Shqiponja” në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj.
Në atë kohë, reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt, ndaj dhe ky e kishte marrë në telefon komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kishte kërcënuar se do ta eliminonte.
Top Channel