Shtyhet nga shiu supersfida Argjentinë-Brazil

13/11/2015 10:20

Reshjet e dendura të shiut që ranë në Buenos Aires nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes mes Argjentinës dhe Brazilit, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit të vitit 2018. Sfida ishte parashikluar të luhej në stadiumin “Monumental”, por fusha e tij u përmbyt nga uji, duke detyruar organizatorët që të marrin vendimin për shtyrjen e saj. Ndeshja do të luhet në orën 01:00 të ditës së shtunë me orën shqiptare (të premten në 21:00 me orën lokale).

Si Argjentina ashtu edhe Brazili nuk e kanë nisur mirë këtë fushatë eliminatore. Skuadra e drejtuar nga Gerardo Martino nuk ka mundur të gjejë ende rrugën e rrjetës në dy sfidat e para, ndërsa Brazili ka humbur ndaj Kilit dhe ka fituar ndaj Venezuelës.

Për momentin, skuadra e Dungës ndodhet në vendin e pestë në grupin e Amerikës Latine, ndërsa Argjentina është e teta. Skuadra e Gerardo Martinos do të vijë në këtë supersfidë me mungesa shumë të rëndësishme: Messi, Aguero dhe Tevez (të tre për arsye dëmtimi). Ndërsa Brazili nuk ka asnjë problem të tillë, madje Dunga do të ketë në dispozicion Neymar, i cili e kreu dënimin prej 4 ndeshjesh pezullim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA