Inter kërkon të “rrëmbejë” belgun Mertens nga Napoli

13/11/2015 12:15

Inter kërkon Dries Mertens. Sipas asaj që publikohet në median italiane, ditët e kaluara u zhvillua një takim mes drejtorit sportiv të klubit zikaltër, Piero Ausilio dhe agjentëve të futbollistit në lidhje me një transferim të mundshëm të belgut në Milano. Gjatë takimit të zhvilluar, Ausilio shfaqi dëshirën e tij për ta marrë futbollistin në muajin janar, por hasi në pengesa të mëdha, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë sportiv, duke parë se De Laurentis nuk është shumë dakord që të lërë një futbollist të skuadrës së tij të kalojë te rivalët.

Mertens, i cili për momentin është jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi muskular, ka një kontratë me Napolin deri në vitin 2018 dhe për Interin është e vështirë që të sigurojë një ulje të çmimit të kartonit të futbollistit. E vetmja mënyrë për të mundësuar reduktimin e këtij çmimi për zikaltërit është përfshirja në tratativa të një futbollisti tjetër. Por, nga ana tjetër, vetë belgu e sheh me sy të mirë një transferim te Interi, pasi do të ketë mundësi të luajë më shumë, ndërkohë që këtë sezon me Napolin nuk ka luajtur asnjë ndeshje të plotë.

Nëse Interi nuk do të mund të arrijë te futbollisti në muajin janar, atëherë ai do të vazhdojë punën për ta blerë atë në merkaton e verës së ardhshme, pasi klubi milanez ka vërtet nevojë për një lojtar të karakteristikave të Mertensit në repartin e mesfushës. Për më tepër, Mertens, me transferimin e tij në Milano, do të ketë edhe një përfitim financiar, pasi Thohir mund t’i ofrojë një kontratë me pagë prej 2 milionë eurosh në sezon, duke i shtuar edhe bonuse të tjera, ndërkohë që aktualisht te Napoli ai përfiton 1.2 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA