Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi shpjegoi shkurtimisht arsyet se përse opozita kundërshton disa pikë të draftit të propozuar për reformë në drejtësi.
Përmes një deklarate për mediat, Halimi thotë se kundërshtimi dhe propozimet e Partisë Demokratike janë në funksion të ngritjes së një sistemi drejtësie krejtësisht të pavarur, të pakorruptuar dhe të aftë profesionalisht.
Por disa pika të draftit, që ngritjen e disa institucioneve e kalon në nivel ligjesh, jo në nivelin e Kushtetutës, për opozitën rrezikojnë të kundërtën.
“Tryezat duhet t’i shërbejnë sensibilizimit sa më të madh që drejtësia të bëhet më e pavarur. E kundërta, kapja dhe marrja nën kontroll është vetëm asgjësim i drejtësisë, i shërben partisë, por jo qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, deklaron Halimi.
Deputeti demokrat falenderon ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve për fillimin e tryezave publike.
Ky qëndrim i opozitës u shfaq edhe në tryezën e kësaj të premteje nga Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike.
Top Channel