Java nisi me një dorëheqje të bujshme; atë të Nasip Naços nga posti i ministrit të Drejtësisë. Kjo dorëheqje është interpetuar si një presion i Ilir Metës ndaj aleatit të tij në qeverisje, Edi Rama, për ndryshime të tjera në kabinet.
Por a është vërtetë lëvizja e Ilir Metës shantazh ndaj kryeministrit Rama? Për këto dhe të tjera pyetje të aktualitetit politik, të ftuar këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla ishin analistët Mero Baze, Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, Lorenc Vangjeli, Arjan Vasjari dhe Eduard Zaloshnja.
Në letrën e dorëheqjes, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço shprehet pë mungesë bashkëpunimi mes institucioneve si shkak i vendimit të tij të papritur për t’u larguar nga kabineti.
Por a lidhet kjo dorëheqje vetëm me reformën në drejtësi, apo me këtë lëvizje Ilir Meta ka vënë në lëvizje një ingranzh që do të nxisë largimin e të tjerëve nga skuadra e Ramës? A do të jenë vetëm emra nga LSI apo edhe nga PS?
Mero Baze e konsideron këtë lëvizje si një sinjal politik që Ilir Meta i çon Edi Ramës për mungesën e komunikimit mes tyre.
Mustafa Nano e quajti të pavend arsyetimin e Nasip Naços për dorëheqjen.
“Drafti për reformën është hartuar nga ekspertë të huaj dhe ndërkombëtarë dhe dorëheqja për mungesë bashkpunimi në reformën në drejtësi nuk qëndron. Mendoj që kjo lëvizje synon një ribërje të qeverisë me emra të tjera, atë që Meta e ka qejf”, u shpreh Mustafa Nano.
Edhe Skënder Minxhozi u shpreh mosbesues ndaj argumentit të dhënë nga Nasip Naço. Ai tha se ka një përplasje mes Metës dhe Ramës sa u takon ndryshimeve në qeveri dhe jo është e dukshme tashmë.
“Të gjithë e dinë që Nasip Naço nuk iku sepse nuk kishte akses në reformën në drejtësi”, tha ai.
Nisma e qeverisë për “shpifjen”
Seanca e kësaj të enjteje në parlament u parapri nga një debat në media dhe në korridoret politike për propozimin e qeverisë për cilësimin e shpifjes si vepër penale. Dorëzimit të nismës në Kuvend i parapriu një deklaratë e Ilir Metës.
Ai tha se ishte në dijeni të debatit mbi këtë çështje, por u tregua diplomatik duke deklaruar se ka një mospërputhje mes qëllimit të nismës dhe mënyrës sesi është formuluar. “Do të ketë reflektim”, tha Meta. Po më e drejtpërdrejtë u tregua deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj. Përmes rrjeteve sociale ajo thotë se deputetët e LSI-së nuk do të votojnë asnjëherë pro kriminalizimit të shpifjes.
Këto qëndrime të LSI-së ndoshta detyruan qeverinë që të tërhiqej nga nisma e vet. Ministrja Ermonela Felaj pranoi tërheqjen duke thënë se për të shuar debatin dhe keqkuptimin nisma u tërhoq.
“Politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën përsa kohë paguhen nga taksat e shqiptarëve”, tha ajo.
Analisti Mustafa Nano tha se fyerja dhe shpifja kanë dominuar ligjërimin politik në 25 vite pluralizëm në Shqipëri. Ai ndau qëndrimin se shpifja duhet të ndëshkohet me burg, fyerja jo.
“Jam me idenë që duhet dekriminalizuar fyerja, ndërsa nuk kam qenë me idenë që të dekriminalizohet shpifja. Shpifja nuk është e dekriminalizuar dhe në Kodin Penal ajo dënohet”, deklaroi Nano.
Minxhozi ndau një tjetër qëndrim. Ai tha se media duhet të përjashtohet nga penalizimi me burg për akuzën e shpifjes.
“Sa i përket kategorisë tjetër, politikanëve. Nuk e pranoj si qytetar i këtij vendi që çdo të enjte në këtë vend të shpërthejë një lumë ndyrësishë, banalitetesh dhe kjo bën që politikës t’i lëshohen nervat. Qeveria bëri një gafë duke u nxituar me këtë nismë. Kjo vjen nga një faktor, është se parlamenti ka dalë jashtë çdolloj etike”, deklaroi Minxhozi.
Mero Baze është shprehur publikisht kundër kësaj nisme të qeverisë.
“Shpifja dënohet në Shqipëri, dënohet në Kodin Civil dhe në atë Penal. Ajo që është hequr në 2012 është konsidorimi i shpifjes në shtyp dhe media si vepër penale që dënohet me burg. Kaq është hequr. Tani rikthimi i dënimit me burg për shpifjen në gazetari është një rikthim pas në kohë dhe i panevojshëm. Ekziston dënimi për shpifje. Qeveria kërkon rikthimin e dënimit me burg për veprën e shpifjes për zyrtarët e lartë. Kjo është e padrejtë. Nuk mund të hiqet parimi kushtetueses që përpara ligjit duhet të jemi të barabartë të gjithë. Nuk mund të bësh burg kur shan Edi Ramën dhe të mos bësh burg kur shan Mero Bazen. Është diskriminues”, tha Baze.
Lorenc Vangjeli tha se kjo çështje ka rënë dhe nuk do të ketë më kriminalizim të shpifjes.
“Më mirë do të ishte që të bëhej fjalë për dekriminalizimin e parlamentit. Mediat u vunë të gjitha kundër kësaj qeverie. Tërheqja përballë kësaj rrëfen dhe një reflektim të kryeministrit që ka prej disa kohësh raport nervoze me median. Ai mbron anën tjetër që shpifja do të kriminalizohet përsa kohë bëhet fjalë për zyrtarët e lartë”, tha Vangjeli.
Eduard Zaloshnja kritikoi gjithashtu nismën. Ai tha se liria e fjalës dhe e shprehjes duhet shtuar edhe më tej.
“Nuk mund ta konceptoj dot që një vepër që është fjala të jetë pjesë e Kodit Penal. Atje duhet të jetë vetëm ajo çfarë bën, jo çfarë thua. Liria e fjalës ka kufizimin e vet dhe atë e ka në gjykatën civile, në kodin civil. Kudo kjo trajtohet në gjykatë civile”, deklaroi Zaloshnja.
Edhe Arjan Vasjari ishte i mendimit se ky projektligj na kthen pas në kohë.
“Ai projektligj nuk është hequr, është tërhequr dhe mbi të po punohet për t’u risjellë sërish. Sigurisht, do të ishte një moment regresi nëe do të kalonte në versionin fillestar. Nuk besoj që Rama është tërhequr nga Meta. Më bën përshtypje që përpiqet të krijohet një ndarje mes ligjërimit politik dhe ligjërimit të medias. Duhet të themi të vërtetën, media në Shqipëri ka probleme të thella me të vërtetën dhe me moralin publik. Është e pavend që ne të themi sot, që problemet e medias duhet t’i orientojë dhe zgjidhë vetëm ligji, duhet të ketë një kod etik”, deklaroi Vasjari.
Mero Baze krahasoi sjelljen e ish-kryeministri Berisha dhe kryeministrit aktual, Rama me median dhe shtypin.
“Rama dhe Berisha nuk mund të krahasohen në këtë pikë. Berisha ishte ideator i ndarjes së thellë të shtypit duke financuar ata që e përkrahnin dhe duke djegur, rrahur e futur në burg shtypin që kishte kundër. Rama nuk e ka këtë model. Rama ka një qëndrim të rrezikshëm për lirinë e shtypit, por nuk është i krahasueshëm me Berishën në standardet e lirisë”, tha Baze.
Top Channel