Grevë e përgjithshme në Greqi, e para kundër qeverisë Tsipras

12/11/2015 09:10

Greqia është e paralizuar këtë të enjte si pasojë e një greve të përgjithshme, e para kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Tsipras që kur ai ka ardhur në pushtet në janar të këtij viti.

Me mitingje dhe marshime proteste në pika të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në shumë qytete të vendit, konfederata e sektorit publik ADEDY dhe atij privat GSEE, protestojnë kundër politikave shtrënguese dhe rritjes së taksave që është detyruar të zbatojë qeveria nën presionin e kreditorëve.

Në këto 24 orë janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore, ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat.

Spitalet funskionojnë me stafin e emergjencës, transporti publik ka ndërprerje shumorëshe, anijet janë të ankoruara në porte, ndërsa shumë fluturime të brendshme janë anulluar.

Gazetarët gjithashtu kanë lënë punën dhe heshtja mediatike mbizotëron në shtypin e vendit. Karakteristikë e kësaj greve është edhe fakti që ajo mbështetet edhe nga një pjesë e strukturave partiake të Syrizës, që kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të punëtorëve kundër “politikave neoliberale dhe shantazheve nga qendrat financiare dhe politike brenda dhe jashtë Greqisë”.

Siç komentojnë analistët vendas, kryeministri Aleksis Tsipras, që fitoi edhe zgjedhjet e parakohshme dy muaj më parë, është tërhequr nga pozicionet e tij të mëparshme kundër masave shtrënguese, duke pranuar një marrëveshje të imponuar për masa të mëtejshme në këmbim të një pakete trevjeçare ndihme prej 86 miliardë euro.

Të hënën, Greqia nuk arriti të bindte kreditorët e saj europianë që ka bërë mjaft për të siguruar këstin e parë prej 2 mld euro për nevojat e brendshme dhe 10 mld të tjera për rikapitalizimin e bankave.

Ministrat e Eurozonës i kanë dhënë Athinës edhe pesë ditë të tjera afat që të vendosë për implementimin e reformave të nevojshme në këtë fazë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA