Fluksi i emigrantëve, Suedia vendos kontrolle në kufi

12/11/2015 08:50

Suedia ka njoftuar se do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufi për të mbikëqyrur fluksin e emigrantëve që duan të hyjnë në vend.

Ministri i Brendshëm, Anders Ygeman deklaroi se marrja e kësaj mase u vendos pasi policia paralajmëroi se një rritje e fluksit do të përbënte kërcënim për rendin publik.

Kontrollet do të hyjnë në fuqi mesditën e kësaj të enjteje, me orën lokale dhe fillimisht do të zgjasin 10 ditë.

Ygeman tha se, qeveria e qendrës së majtë ka vepruar kështu në mënyrë që të garantojë sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe jo për të kufizuar numrin e azilkërkuesve.

“Ne synojmë një kontroll më të mirë të fluksit dhe sinjali ynë për pjesën tjetër të Bashkimit Evropian është i qartë si kristali, Suedia është vendi që ka mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë më të madhe për krizën e refugjatëve”, deklaroi Ygeman.

Ai theksoi se, nëse duhet bashkëpunim për këtë sfidë të përbashkët, atëherë edhe vendet e tjera duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre.

Autoritetet suedeze të emigracionit deklarojnë se vendosja e kontrolleve në kufi do t’i ndihmojë ata të regjistrojnë ardhjet e reja dhe të parandalojnë qëndrimet ilegale në vendin nordik.

Fredrik Bengtsson, zëdhënës i Agjencisë Suedeze të Emigracionit deklaroi se, aktualisht punonjësit e saj po i marrin njerëzit me autobus në kufi dhe po i dërgojnë në zyrat e agjencisë, “por me të mbërritur atje shumë prej tyre nuk regjistrohen dhe zhduken”, tha ai.

Rreth 200 mijë emigrantë pritet të mbërrijnë në Suedi këtë vit, më shumë për kokë se në çdo vend tjetër i BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA