Në sallën e Parlamentit, debatet vazhduan edhe gjatë mbrëmjes së të hënës, ku kësaj radhe pati një përplasje mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit aktual të Energjisë, Damian Gjiknuri.
Berisha e akuzoi këtë qeveri duke thënë se çështja e energjisë është gropa e dytë e zezë dhe e madhe e kësaj qeverie, pas marrëveshjes së Ramës me CEZ-in, që ai e konsideroi si të firmosur nëpër kulisa. Por, e njëjtë ishte edhe kundërpërgjigja e ministrit Gjiknuri, i cili e akuzoi Berishën për dëme kolosale ndaj shtetit që me aktin e privatizimit të ish-OSSH-së nga CEZ.
“Energjia është gropa e dytë e zezë e madhe e kësaj qeverie. Sot në këtë 4 anët e vendit ndërprerjet e energjisë shkojnë nga 7-9 orë, përveç qendrës së Tiranës.
Është gropa e dytë më e madhe, sepse Edi Rama firmosi në kulisa kundrejt një afere të tmerrshme korruptive, marrëveshjen famëkeqe me CEZ-in, me të cilin dënoi Shqipërinë me fatura 620 mln euro, me dëme mbi 3 mld euro.
Në 2007-2013 u arritën të firmosen kontrata me sektorin privat për ndërtimin e 423 HEC-eve. Të përdorësh mjedisin për të bërë politikë antimjedis, kjo është mjerim. Për çdo HEC, ky vend ka ligje që të detyron lejen dhe studimin mjedisor, kushtet për respektimin e tij. Më thoni cilin HEC keni anuluar për mosrespektim të çështjeve mjedisore? Asnjë. Ata që i keni anuluar i keni bërë për t’i rrjepur.
Ju rrihni gjoksin për investime në Shqipëri, por ndër më të rëndësishmet janë ato në fushën e energjisë dhe të vetmet investime në Shqipëri janë ato të qeverisë së mëparshme. 300 mln janë investuar në kaskadën e Devollit. Edi Rama do u deklaronte gramshiotëve, kur ne po përuronim investimin e “Statkraft” se ai do të ishte mashtrimi i radhës i Berishës. Për të mos përmendur HEC-in e Matit me rendiment sa Fierza, si dhe 97 HEC-e të tjera që prodhojnë sot mbi 29% të energjisë.
Sot mora vesh që keni 80 mln dollarë borxhe ndaj tyre, sepse u keni blerë energjinë dhe nuk i keni paguar. Një shtet zuzar, sepse harroni që ata kanë kredi bankare dhe interesa për të paguar. Po i detyroni të falimentojnë.
Por të rikthehemi te CEZ-i. Edi Rama firmosi marrëveshjen në kulisa, pasi kompania ndërkombëtare me 12 paragrafe i tha se ku janë të gjitha dëmet e CEZ-it ndaj Shqipërisë dhe çfarë detyrimesh ka CEZ-i ndaj Shqipërisë. Por ai kishte rënë dakord me CEZ-in para zgjedhjeve, e pas tyre vuri në krye Ardian Çelën, e emëruar nga vetë Rama dhe enturazhi i tij familjar? I përzgjedhur si një megahajdut, që i çon paratë me çanta aty ku i thonë.
Pretendojnë se kanë rënë humbjet në rrjet, por nuk është e vërtetë. Këta vetëm sa kanë rikthyer aforfenë, në mënyrë që të çojnë sa të duan në arkat e shtetit.
Edi Rama me ministrat e tij vjedh me qindra milionë euro, ka krijuar klientelën e kompanive që u jep të gjithë tenderat. Ndaj dhe energjia është gropa e dytë e zezë e madhe. Me hetimin ndërkombëtar këto që kemi thënë ne sot do të dalin vetëm maja e ajsbergut, për këtë ju garantoj”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë, ministri Gjiknuri, në replikën e tij ndaj ish-kryeministrit ka njoftuar se ato deklarata të bëra nga foltorja e Kuvendit duheshin dërguar prej kohësh në Prokurori për t’u hetuar.
“Gropën më të madhe prej 1,2 miliardë dollarësh e bëri vetë ai dhe tashmë përpiqet që t’ua faturojë të tjerëve, sepse është i verbuar si bishë nga suksesi i të tjerëve. E le sektorin energjitik me 1,2 mld dollarë në një konflikt të hapur me CEZ-in. Siç e dogje Shqipërinë në ’97-n me hapjen e depove për një arsye të caktuar: kur hap një gropë të madhe, për të djegur provat dhe për t’ia ngarkuar atë tjetrit ti je në gjendje të djegësh edhe Shqipërinë. Të njëjtën gjë bëre edhe me CEZ-in.
Po them disa gjëra që duheshin çuar me kohë në Prokurori, sepse ata që flasin për marrëveshje në kulisa, kanë bërë të tilla me CEZ-in që nga privatizimi e deri në marrëveshjen e fshehtë të prill të 2012-s në zyrat e Berishës, nën kujdesin e Guxhollit dhe me firmën e Bodes. Na kërkon llogari për marrëveshjen e CEZ-it, kur në atë vit nën kujdesin e Berishës u krijua një grup i përbërë nga ministri i Ekonomisë, Naço, i cili nuk mori pjesë; nga njerëzit e tu Guxholli, Bode dhe ti vetë; dhe keni arritur një marrëveshje që u keni ulur çekëve çmimin e energjisë në 2,2 lekë nga 2,8 lekë, duke rritur borxhin e keq në 16%. Dhe pse e ke bërë? Për shkak të gjendjes së vështirë të CEZ-it për shkak të mungesës së vendimeve të ERE-s së kontrolluar prej teje për njohjen e borxhit të keq dhe për humbjet, që sipas auditit të doli 37% e jo 32%. U detyrove ta kompensosh atë në kurriz të kompanive publike. Për të shmangur kështu arbitrazhet dhe kostot e mëdha, pranove ta çoje borxhin e keq në 16,85%, por pa një bazë ligjore ku të mbështeteshe. Ti e ke bërë këtë në kulisa dhe ia ke çuar ERE-s për ratifikim, ndaj dhe për këtë do të përgjigjesh.
Në 2009-n ndryshove 4 herë vendimet e ERE-s pasi ishin hapur ofertat për CEZ-in dhe ke pasur edhe ndërmjetës. Kur e nxorre për privatizim e ke pasur fillimisht borxhin e keq 0%, e më pas me vendimin e shtatorit 2008 e çove 4%; e pasi u hapën ofertat e çove 14% në kundërshtim me çdo procedurë normale. Bëre një akt privatizimi, duke i lejuar vetes që në varësi të negociatave ti të mund të ndërhyje për të ndryshuar borxhin e keq. Vetëm me këtë i ke shkaktuar shtetit 200 mln dollarë humbje”, tha ministri Gjiknuri ndër të tjera.
Top Channel