Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar pakon e ligjeve që parashikohen me marrëveshjen e 2 Qershorit. Pak minuta para mesnate, ka marrë dritë jeshile vendimi për formimin e Komisionit anketues për skandalin e përgjimeve.
Deputetët me procedurë urgjente kanë miratuar ligjin për mbrojtjen e privatësisë dhe atë për mbrojtjen e informatorëve. Po ashtu, janë votuar edhe ndryshimet e reja ligjore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe Ligjin për qeverinë.
Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni kanë rënë dakord që reformat ligjore të zbatohen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen në 24 prill të vitit të ardhshëm për të garantuar një proces zgjedhor demokratik.
“Maqedoninë e pret edhe shumë punë në rrugën e saj për krijimin e kushteve normale, për organizimin e zgjedhjeve sikur në vendet perëndimore dhe jo sikur në Bjellorusi”, u shpreh Renata Deskovska, deputete e LSDM-së.
“Nuk mund të mos reagojë kur këta të LSDM-së flasin për forcimin e kapaciteteve demokratike sepse më kujtohet kur kjo parti bënte lista me emra të personave që nuk lejoheshin të votojë në referendumin për ndarjen territoriale”, tha Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për qeverinë, Kryeministri Nikolla Gruevski, pritet që gjatë ditës së martë të dorëzojë në Kuvend propozimin për ministrat dhe zëvendës ministrat e ri që do të jenë nga radhët e opozitës maqedonase, të cilët, më së voni deri të premten duhet t’i marrin funksionet.
Sipas marrëveshjes së 2 Qershorit, deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së opozitare Oliver Spasovski, do të udhëheqë Ministrinë e Brendshme, kurse nënkryetarja e këtij subjekti Frosina Remenski, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Top Channel