Basha: Miliona euro nga nafta e vjedhur

10/11/2015 12:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me punonjës të rafinerisë së Ballshit, të cilët u ankuan se po trajtohen në mënyrë çnjerëzore nga autoritetet. Duke përshkruar kushtet e rënda të punës, punëtorët paralajmëruan se do të hidhen në grevë nëse nuk marrin pagat, të cilat mungojnë prej 4 muajsh në llogaritë e tyre.

Sipas të dhënave që Lulzim Basha përdori, vitin e kaluar Shqipëria ka nxjerrë 1 milionë e 200 mijë ton naftë, me vlerë rreth 800 milionë euro, por kreu i opozitës deklaroi se vjedhja vetëm nga rafineria e Ballshit është e përmasave të jashtëzakonshme dhe se ajo kryhet nën patronazhin e drejtuesve kryesorë të qeverisë.
 
“Ato 10 muaj që është ndezur ajo rafineri janë përpunuar miliona e miliona euro naftë. Vetëm taksa e asaj nafte po të paguhej kishte para’ që të paguheshit ju deri në fund të pensionit tuaj. Zgjidhja është që këta lekë të mos përfundojnë në xhepat e Ramës e Gjiknurit, e Koço Kokëdhimës e Piro Lutaj e Ilir Metës, por të përfundojnë në xhepat tuaj si taksapagues”, tha Basha.

Panorama ishte po aq e zymtë edhe brenda në qytetin e Ballshit. Tregtarët u ankuan për rënien e fuqisë bleresë dhe për rritjen e taksave.

Kryetari i opozitës thotë se platforma e opozitës parashikon taksat më të ulëta në Ballkan si mënyrën më të mirë për të nxitur biznesin dhe për të rritur konsumin, duke u lënë qytetarëve rreth 500 milionë euro nga taksat që sot, sipas Lulzim Bashës, vidhen nga pushtetarët e korruptuar.
 
“Nëqoftëse qeveria të trajton si skllav, nëqoftëse qeveria të merr me të padrejtë bukën e gojës,  nëqoftëse qeveria e një vendi pasurohet kur populli varfërohet çdo ditë, ka ardhur koha që ajo qeveri të largohet me hir ose me pahir”, nënvizoi Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA