Dueli i heshtur, nga deklaratat Rama-Meta, tek dorëheqja e Naços

09/11/2015 20:05

Vetëm 5 ditë me parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në Top Story se nuk besonte te rifreskimi i qeverisë. “Rifreskim bëjnë vetëm mazhorancat që ndryshojnë ekuilibrat e brendshëm”, shtoi ai,  jo pa tone nervoze për të njëjtën pyetje që i bëhej prej muajesh: ndryshimet e mundshme në Qeveri.

Kjo ishte pyetja që ndoshta ka marrë më shumë kryeministri veçanërisht pas kthimit nga SHBA në shtator, kohë në të cilën u fol për një marrëdhënie të ftohur mes tij dhe aleatit Ilir Meta, për të cilën nuk pati pak kontribut dhe ky i fundit me deklaratat evazive.

“Nuk keni dëgjuar gjë akoma, pak më vonë do të dëgjoni çudi të mëdha për shtypjen e opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaronte Ilir Meta nga Çorovoda, si kundërpërgjigjie ndaj akuzave të opozitës.

Pavarësisht se askush nuk e konfirmoi zyrtarisht, në takimin e parë mes Metes dhe Ramës pas kthimit të këtij të fundit nga SHBA, u fol për një kërkesë të kreut të LSI-së, Ilir Meta për ndryshime në qeveri. E njëjta kërkesë u tha se ishte bërë edhe në takimin e tyre të dytë, pas të cilit Ilir Meta paralajmëroi qëndrimin pro ndryshimeve në qeveri, ndërsa jozyrtarisht u aludua edhe për kushte të vendosura prej tij për lëvizje të ministrave socialistë në kabinet.

“Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Sa u takon ndryshimeve, ja kemi lënë nismën kryeministrit”, deklaronte Meta.

Ndërsa Ilir Meta ishte ai që lëshonte sinjale dhe më pas i mohonte, kryeministri Edi Rama ishte më i qëndrueshëm në mohimin e ekzistencës së bisedave me aleatin e tij për ndryshime në qeveri, duke i cilësuar shpesh si shpikje të gazetarëve.

“Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj thoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që është shpikur nga ju”, tha Rama.

Ndërsa Ilir Meta vijoi të mbajë të njëjtin qëndrim.

“Është pyetje që i takon kryeministrit Rama”, do të përgjigjej ai një pyetjeje për ndryshimet në qeveri.

Deklarimet, shpesh të papërputhshme të Ramës dhe Metës për ndryshimet në qeveri, u lexuan si kërkesa të kreut të LSI-së për ndryshime dhe rezistencë e kryeministrit ndaj tyre. Në këto kushte erdhi edhe dorëheqja e Nasip Naços për arsye personale, një krizë e vogël, që u mbyll shpejt me zëvendësimin në kohë rekord të Naços, por koha do të tregojë nëse kjo ishte një përpjekje e parë e pasukseshme e aleatit më të vogël për të provokuar një manovër më të thellë ndryshimesh në qeveri apo thjesht një incident i veçuar rastësor i një ministri rastësisht i LSI-së që kërkoi largimin vërtetë për arsye vërtetë personale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA