Edi Rama, ose mjeshtëria për të thënë gënjeshtra të vërteta

08/11/2015 00:00

Ilir Yzeiri- “Oxymora” ose “oxymoron”-i është një figurë e mendimit në stilistikë e përdorur mjaft sidomos nga Shekspiri, por edhe nga autorë të tjerë. Ajo është quajtur shpesh si një “shtirje e ligë” ose si një “budallallëk i mbuluar me ironi”.

Ndërsa si figurë stilistike ndërtohet nga pranëvënia e një emri dhe një mbiemri kuptimet e të cilëve janë shumë të largët dhe kontradiktorë gjithashtu. Një e tillë, fjala vjen, është “qartësi e errët”. Por është përdorur edhe në pikturë sidomos nga Magrit pikërisht për të shënjuar këtë që sapo thashë. Nuk mendoj se Rama është i vetëdijshëm që po përdor këtë figurë për të bindur opinionin publik se ai vetë dhe qeveria e tij nuk janë një zgjatim i Berishës në lëmë të korrupsionit dhe sa i takon divorcit me opinionin publik. Ajo që duhet shënuar në këtë rast është se, pas daljes së fundit në TV përballë gazetarëve, ai tashmë e zgjodhi përfundimisht pozicionin e tij. Ai vendosi të ndahet nga opinioni publik dhe t’u kundërvihet atyre duke u treguar gënjeshtra të vërteta.

Rrëshqitja në vetëmjaftueshmëri

Veprimet e fundit të Edi Ramës nuk lënë më asnjë shteg për të hamendësuar se ai ka vendosur të qeverisë duke mos përfillur më opinionin publik. Siç dihet, opinioni publik përbëhet nga gazetarët, intelektualët pra mendimi intelektual dhe sondazhet. Ngjarjet e fundit dhe sidomos afera “Frangaj”, prodhuan një reagim të fortë nga opinioni publik dhe të gjithë analistët pa përjashtim e qortuan qëndrimin e qeverisë që kishte toleruar një shkelje të tillë. Mirëpo vetë Rama doli dhe e mbrojti atë vendim përmes “oxymoronit”, pra duke na paraqitur me një qartësi të errët ligjshmërinë e veprimit të Frangajt. Me këtë akt Edi Rama u ngjit në poltronin e qeveritarëve autoritarë që për të vjedhur, për të zaptuar toka dhe për të vrarë përdorin ligjin, pra përdorin vendime qeverie. Ai e rehabilitoi qeverinë Berisha dhe vendimet korruptive të saj, sepse duke përdorur përsëri budallallëkun malinj ose ironinë prej budallai që është thelbi i oxymoronit i quajti të ligjshëm ato vendime. Në fakt ato janë të ligjshme, sepse janë vendime kolegjiale. Edhe vendimet e kohës së diktaturës janë të ligjshme, por janë ndërtuar sipas parimit që, në emër të ligjit, të vrasin dikë për të lartësuar dikë tjetër. Ndërrimi i qeverive bëhet që të ndryshojë filozofia e qeverisjes dhe fryma e ligjit. Edi Rama natyrisht që e di këtë, por ai ka vendosur të tradhtojë bindjet e tij dhe të zgjedhë të bëhet vazhdim i qeverisë Berisha ndaj dhe e vazhdon akoma koncesionin e skanimit në dogana, u jep leje ndërtimi klientëve të Berishës dhe i justifikon të gjitha tenderët e përfolur të kabinetit të tij me vendime qeverie. Opinioni publik i kërkon që ai të ruajë frymën e Rilindjes, ndërsa ai e shpalli përfundimisht se e ka braktisur atë frymë dhe ka zgjedhur frymën e të vërtetave të gënjeshtërta. Tashmë mbështetës të tij në opinion nuk janë më gazetarët apo analistët që kishin besuar tek ai, mbështetësi i vetëm këtej e tutje do të jetë “TV Klan” dhe Frangaj, njësoj siç ndodhi me qeverisjen e Berishës. Edi Rama e di fare mirë këtë dhe e bën me qëllim, sepse për të mbajtur pushtetin njësoj si Berisha nuk mund të jesh aleat me opinion publik, duhet të kesh vetëm një altoparlant dhe ndonjë nëpunës në Kryeministri që të bën lapidarin. Të tjerët nuk marrin vesh, sipas Ramës, dhe nuk dinë të bëjnë pyetje.

Sondazhet dhe euforia e shuarjes së opozitës

Është e vërtetë se Edi Rama ka një aset të jashtëzakonshëm që është Sali Berisha dhe opozita e çartur dhe e shpartalluar e drejtuar nga Lulzim Basha. Është e vërtetë se me këtë opozitë ai mund të bëjë çfarë të dojë dhe pushteti i tij nuk rrezikohet. Dhe, për hir të së vërtetës, po ta shohësh se si sillet opozita dhe çfarë bën Berisha, të krijohet përshtypja se ka një pakt të heshtur që Edi Rama të rrijë në pushtet dhe Berisha e Luli në opozitë, mjaft që të mos preken paratë e vjedhura, mjaft që të mos zbulohen krimet e bëra nga qeveria e djeshme. Opozita e ka ndotur aq shumë ligjërimin publik dhe e ka kriminalizuar aq shumë hapësirën publike sa shqiptarët jo vetëm që nuk e shohin atë si alternativë, por, në shumë raste, e quajnë si mbështetëse të qeverisë, sepse duke u vetëshkatërruar përditë, ajo po e ndihmon këtë qeveri që të bëhet më autoritare dhe më e papërgjegjshme se ç’është deri tani. E transformuar në një zyrë shtypi të kronikës së zezë, PD-ja është bërë e padurueshme sidomos kur nga mëngjesi në darkë, çdo gjë që ndodh në këtë vend e lidh me dyshen kriminale, sipas saj, Meta-Rama. Me anë të këtij veprimi ajo denatyralizon institucionet shqiptare dhe e projekton shoqërinë tonë si një bashkësi fisesh e klanesh që drejtohen nga një apo dy barinj. Edhe nëse është kështu, detyra e një opozite është që të mbështesë, të përkrahë dhe të nxisë institucionet e pavarura ligjzbatuese, të dëgjojë opinionin publik. Nëse Edi Rama u divorcua tash së fundi me opinion publik, PD-ja nuk ka qenë kurrë në aleancë me të, sepse ajo asnjëherë nuk ka artikuluar shqetësimet e publikut, por ka klithur vend e pavend për ngjarje që ose nuk kanë qenë ashtu siç i ka paraqitur ajo ose kanë qenë insinuata të pështira. Po e ilustroj me një shembull.

Dje në një qytet të Italisë, një i burgosur me dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm, pra, pas një vizite në një spital, u shpëtoi agjentëve të policisë që e shoqëronin, i rrëmbeu pistoletën njërit prej tyre, plagosi njëmbëdhjetë vetë, rrëmbeu një makinë dhe u arratis. Mediat kryesore e raportuan këtë lajm dhe në edicionet qendrore e kishin lajm të pestë apo të gjashtë. Asnjë forcë politike nuk bëri komente dhe të gjithë prisnin me besim te policia kur të mbaronte aksioni për kapjen e tij. Tani e përfytyroni se çfarë do të kishte ndodhur po të kishte ngjarë kjo në Shqipëri. PD-ja, nga mëngjesi në darkë do të kishte gjetur menjëherë lidhjen mes këtij të burgosuri dhe ministrit Tahiri, pastaj meqenëse ngjarja zhvillohej në spital, i mpleksur do të dilte edhe ministri Beqja dhe rrëfimi delirant do të kishte vazhduar gjithë ditën. Opozita shqiptare nuk tregon ngjarjet që ndodhin, por rrëfen paragjykimet që ajo ka për qeverinë duke e bërë ligjërimin e saj sureal dhe të pavërtetë. Edhe atëherë kur ajo thotë ndonjë të vërtetë, opinioni nuk e beson sepse tashmë është bindur që deklaratat e saj janë propagandë dhe jo fakte. Ndaj sondazhet, siç thotë Edi Rama, me të vërtetë mund të tregojnë se opozita është në pikën më të keqe të saj, dhe qeveria i ka votat që të rrijë në pushtet sa të dojë ajo. Kështu edhe mund të jetë, por sondazhet duhet të tregojnë se gjysma e zgjedhësve nuk kanë dëshirë të votojnë më. Në Shqipëri do të ndodhë ajo që kolegu Arben Idrizi e ka shënuar për Kosovën. Edhe këtu te ne do të vijë shumë shpejt dita që të vetmit zgjedhës të jenë anëtarët e partive politike, pra aksionarët e tyre dhe fatin e vendit ta vendosin ata. Qeverisja që do të prodhohet pastaj do të synojë që të shpërndajë të mirat për fanatikët dhe klientët e saj dhe ne të tjerët do të jemi të përjashtuar nga ky vend. Fati ynë do të jetë në dorë të atyre që fitojnë tenderë dhe punësohen nga partia. Demokracia jonë do të jetë kriminale, por e ligjshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA