Superliga, Teuta mposht Flamurtarin; Tirana fiton me lehtësi ndaj Tërbunit

07/11/2015 20:15

Teuta ka gjunjëzuar Flamurtarin në Durrës, duke e mundur me rezultatin 3-1. Që në fillimin e ndeshjes, në minutën e dytë Artur Magani shënon golin e parë të takimit, që i dha mundësinë skuadrës vendase të luante lirshëm dhe të kontrollonte lojën.

Por nga një manovër e pavëmendshme e mbrojtjes, Tshakadadze barazoi përkohësisht shifrat për skuadrën vlonjate. Me fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Magani, ai i cili i dha avantazhin skuadrës së Teutës.

Tentativat e Flamurtarit ishin të vakëta dhe pa rezultat, derisa në minutën e ‘78 Rustem Hoxha vulosi shifrat në 3-1 duke vendosur edhe fatin e takimit.

Tensioni në minutat e fundit solli daljen e dy lojtarëve të Flamurtarit me kartonin e kuq, Lushtaku dhe Telushi në minutat ‘81 dhe ‘82. Me këtë fitore Teuta është në vendin e tretë në kuotën e 17 pikëve.

Tirana vazhdon me rezultate pozitive edhe në javën e 10-të të Superiores. Bardheblutë e Ilir Dajës mundën sot lehtësisht ekipin e Tërbunit, me rezultatin e pastër 3-0 në “Qemal Stafa”.

Mbrojtësi Karan shënoi në minutën e tetë, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi dhe zhbllokon ndeshjen. Më pas, takimi vazhdoi me ritëm të ulët dhe pa shumë emocione.

Në pjesën e dytë Tirana rregulloi lojën dhe “shënjestrën”, sepse që në fillim ishte Elis Bakaj ai që shënoi tri minuta nga starti i saj golin e dytë të ndeshjes dhe të parin personal për këtë sezon.

Ndërsa mesfushori Gilman Lika trefishoi rezultatin në minutën e ’68-të. Me fitoren e sotme Tirana ngjitet momentalisht në vendin e katërt me 16 pikë po aq sa Kukësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA