Shqipëria në Europian, Sacchi: Një mrekulli e De Biasit dhe djemve të kombëtares

07/11/2015 13:40

Pasi ka marrë pjesë në prezantimin e librit të ish-këshilltarit të kryeministrit britanik Alister Campbell një ditë më parë, një nga teknicienët më të famshëm italian Arrigo Sacchi, ka zhvilluar një takim me të gjithë trajnerët e përfaqësueseve shqiptare.

Të pranishëm kanë qenë nga trajneri i përfaqësueses A, Gianni de Biazi, tek Red Jupi i përfaqësueses U21 dhe të gjithë trajnerët e tjerë të moshave më të vogla apo edhe të përfaqësueseve të femrave.

Në përfundim të takimit, Arrigo Sacchi nuk mund të mos largohej pa një koment për kualifikimin historik të Shqipërisë në Europian dhe për faktin që kuqezinjtë do të përballen me Italinë në eliminatoret e Botërorit.

“Përfaqësuesja e Shqipërisë ka bërë një arritje shumë të madhe dhe nuk duhet harruar që nga këndvështrimi i futbollit përfaqësuesja juaj konsiderohet si një skuadër e fashës së dytë. Pra, mund të themi është një mrekulli që ka bërë De Biazi dhe këta djem. Sa i përket finaleve të Europianit mund të them që skuadra duhet të jetë e qetë, të mos ketë objektiva pasi të gjithë e dinë që duhet të japin maksimumin e tyre. Sa i përket faktit që do të jemi në një grup për eliminatorët e Botërorit shpresoj që të fitojë Italia edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë”, tha Sacchi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA