Reforma në drejtësi, Hasneziri: Kontrollin s’mund ta bëjë një komision i krijuar nga parlamenti

07/11/2015 15:05

Për gjyqtarin e Krimeve të Rënda, doktor i shkencave juridike, Luan Hasneziri , reforma në drejtësi rrezikon të cënojë rëndë pavarësinë e pushtetit gjyqesor, nëse disa nga propozimet e komisionit do të miratohen. Gjyqtari Hasneziri i referohet kapitullit për krijimin e një komisioni të posaçëm për verifikimin e pasurisë dhe aftësisë profesionale.

“Unë jam plotësisht dakord që të gjithë gjyqtarët të vlerësohen aftësitë e tyre profesionale dhe aftësitë e tyre apo lidhjet e tyre të supozuara me krimin e organizuar nëse ato ekzistojnë, por këto vlerësime të kryhen nga institucione kushtetuese, që garantojnë minimalisht garancinë kushtetuese që është pavarësia, sepse aktualisht ekzistojnë institucionet që mund ta bëjnë këtë gjë. Unë jam kundër përbërjes së këtyre komisioneve pasi anëtarët e këtyre komisioneve do të vijnë e miratohen nga Kuvendi, çka do të thotë që gjyqësori vendoset nën pushtetin e politikës”, tha Hasneziri.

Por cilat janë problemet që konstaton gjyqtari i shkallës së parë tek këto komisione? “Nuk mundet që këta komisionerë të miratohen nga politika e më tej të bëjnë vlerësimin e gjyqtarëve apo prokurorëve apo edhe shkarkimin e tyre”, tha ai.

Gjyqtari Hasneziri shprehet kundër edhe për ndërprerjen e mandateve kushtetuese për anëtarë të KLD dhe prokurorit të përgjithshëm tre muaj pasi ligji i diskutuar të hyjë në fuqi. Argumenti që paraqet gjyqtari ka lidhje me qëndrimin që është mbajtur në vitin 1991 dhe në 1998 atëherë kur janë kryer ndryshime të rëndësishme kushtetuese. Nga ana tjetër duke u shprehur pro tjetërsimit të KLD në këshill të lartë gjyqësor, gjyqtari shton edhe dyshimet e tij në këtë pjesë.

“Është parashikuar të rrudhet numri nga 15 anëtarë në 11, shtohen kompetencat ndërkohë që numri pakësohet. Ajo që shoh me dyshim është se zbret numri i gjyqtarëve ndërkohë që ky organizëm është institucion i vetëqeverisjes së gjyqtarëve, ndërkohë që i përfaqësuseve që vijnë nga politika mbetet sërish po pesë”, vijon Hasneziri.

Duke u bashkuar me propozimin për ngritjen e tribunalit disiplinor të drejtësisë, gjyqtari kundërshton pjesëmarrjen në të të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Drejtësisë, për të parin me argumentin se ka konflikt interesi për rastet kur ndaj tij do të merren masa, ndërkohë që për të dytin sepse është figurë politike dhe luan rol nëse gjyqtarët dhe prokurorët do të ankohen kundër vendimeve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

“Krijimi i tribunalit disiplinor është tërësisht i nevojshëm që të bëhet dhe të krijohet. Por këtu për tribunalin disiplinor kam kundërshti përsa i përket përbërjes. Parashikohet që aty të jetë ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, është absolutisht e papërshtatshme. Nuk mund të jetë tribunali disiplinor që është një shkallë ankimi që do të shqyrtojë ankimet ndaj vendimeve që merr KLD të jetë vetë Prokurori i Përgjithshëm i cili mund të shkarkohet nga KLD-ja”, përfundon Hasneziri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA