NBA, Los Angeles Lakers arrin fitoren e parë sezonale

07/11/2015 11:05

Los Angeles Lakers regjistroi më në fund fitoren e parë sezonale në NBA. Skuadra kaliforniane mundi Brooklyn Nets në “Barclays Center” me rezultatin 104-98, ku ai që spikati ishte Kobe Bryant me 18 pikë. Brooklyn e fitoi periodën e parë 27-20, por Lakers u kundërpërgjigj në të dytën, të cilën e mbylli 34-20, duke marrë edhe kryesimin në rezultatin e përgjithshëm të ndeshjes. Në dy periodat e tjera, Lakers arriti të ruajë këtë kryesim, duke dalë e fituar në fundin e takimit.

Denver Nuggets nuk mundi të bëjë dot asgjë përballë furisë së Golden State Warriors. Në “Oracle Arena”, skuadra kampione në fuqi e NBA regjistroi fitoren e 6 radhazi, duke e mbyllur këtë sfidë 119-104. Ishte i zakonshmi Stiven Curry ai që udhëhoqi Warriors drejt këtij suksesi me 34 pikë të shënuara dhe 10 asists, duke bërë që skuadra e tij të jetë e vetme në krye të Konferencës së Perëndimit. Ndërsa për Denver, kjo ishte humbja e katërt në gjashtë ndeshje.

Houston Rokets mposhti Sacramento Kings në “Sleep Train Arena” me rezultatin 116-110. James Harden ishtë në ditën e tij më të mirë, teksa e mbylli sfidën me 43 pikë të shënuara dhe 13 asist.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Cleveland Cavaliers fitoi ndaj Philadelphia 76ers  108-102, ndërsa Atlanta Hawks iu imponua New Orleans Pelicans, teksa e mundi 121-115.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA