Instituti i Mishit në Amerikën e Veriut ka reaguar ndaj një deklarate të Agjencisë Ndërkombëtare të Hulumtimit mbi Kancerin, IARC, që klasifikonte mishin e kuq dhe atë të përpunuar si “rreziqe” për kancer.
Sipas institutit, kjo deklaratë anashkalon atë që dihet në përgjithësi për çështjen dhe shpërfill studime të shumta që tregojnë se midis konsumit të mishit dhe kancerit nuk ka asnjë lidhje, apo të tjera që surgjerojnë përfitimet shëndetësore nga një dietë e balancuar që përfshin edhe mishin.
Instituti i Mishit deklaron se, të dhënat shkencore tregojnë se kanceri është sëmundje tepër komplekse, që nuk shkaktohet kurrësesi nga ushqime të caktuara dhe se një dietë e balancuar dhe mënyrë jetese e shëndetshme janë thelbësore për të patur shëndet të mirë.
“Ishte e qartë ndërsa shihje mbledhjen e IARC-së që shumë prej pjesëmarrësve po synonin një përfundim të caktuar, pavarësisht të dhënave të vjetra, të dobëta dhe jo serioze”, tha doktoresha Betsy Booren, zv/drejtoreshë për Çështjet Shkencore në Institutin e Mishit të Amerikës së Veriut.
“Ata kanë manipuluar të dhënat për të siguruar një përfundim tendencioz. Mishi i kuq dhe i përpunuar renditen ndër 940 agjentët që sipas IARC kanë njëfarë “rreziku” teorik. Vetëm një substancë kimike, e pranishme në pantallonat e yoga-s është deklaruar nga IARC se nuk shkakton kancer”, vazhdon më tej dr. Booren.
Sipas IARC, mund të jesh i/e qetë gjatë kursit të yoga-s, por mos e thith ajrin (Grupi 1 i kancerogjenëve), mos u ul pranë një dritareje ku hyn dielli (Grupi 1), mos apliko Aloe Vera nëse digjesh nga dielli (Grupi 2B), mos pi verë apo kafe (Grupi 1 dhe Grupi 2B), mos ha ushqime zgare (Grupi 2A) dhe nëse je një berber/parukiere apo ke punë me turne (të dyja Grupi 2A), është koha të ndërrosh karrierë.
Panelit të IARC iu kërkua detyra e thjeshtë për të zbuluar rreziqe të mundshme që mishi mund të shkaktojë në sasi dhe në rrethana të caktuara, por nuk ju kërkua që të konsiderojë edhe përfitimet nga mishi, që janë më të mëdha se rreziqet e përmendura.
Për shembull: vlerat ushqyese të mishit, apo komplikimet që organizmi ka nëse redukton më shumë sesa duhet, apo e shmang mishin nga dieta e përhershme.
“Ata që ushqehen sipas një diete mesdhetare hanë dyfishin e sasisë së rekomanduar të mishit të përpunuar. Por vende të tilla me dietë mesdhetare si Italia, Franca dhe Spanja kanë gjithashtu ndër popullsitë më jetëgjata në botë dhe me shëndet të shkëlqyer”, nënvizoi më tej dr. Booren. Sipas saj, vendimi i IARC thjesht nuk mund të aplikohet tek shëndeti i njerëzve sepse merr në konsideratë vetëm një pjesëz të së tërës: riskun teorik. “Por risqet dhe përfitimet duhen analizuar së bashku përpara se t’u thuhet njerëzve çfarë të hanë, pinë, marrin frymë, apo ku të punojnë”, tha ajo.
Shënime
Ka dhjetëra studime që tregojnë mungesë lidhjeje midis konsumit të mishit dhe kancerit dhe studime të tjera që tregojnë përfitimet shëndetësore të dietave që përfshijnë mishin.
Mishi është i mbushur me vlera ushqyese për njerëzit dhe jetësor për njerëzit, sidomos për fëmijët. Përmban vitaminat B12, B6 dhe D3, proteina, hekur dhe zink. Mishi përmban proteina të plota, që do të thotë se ka të gjithë aminoacidet që trupi ynë ka nevojë.
Proteinat jo të mishit nuk janë të plota dhe duhet të haen të kombinuara me ushqime të tjera për të marrë të gjithë aminoacidet. Mishi përmban hekur “heme”, i cili absorbohet nga trupi më mirë sesa hekuri “jo-heme”, që ndodhet tek bimët.
Kur mishi haet me zarzavate ndihmon trupin të absorbojë më mirë edhe vlerat nga këto të fundit. Produktet e mishit që vijnë nga kafshët janë të vetmet burime natyrore të vitaminës B12, e cila është thelbësore për zhvillimin e trurit tek fëmijët dhe funksionimin e tij gjatë gjithë jetës.
Funksionimi dhe zhvillimi i trurit
Publikime të shumta studimesh tregojnë se ata që zgjedhin një dietë vegane kanë një risk të shtuar për probleme mendore për shkak të mungesës së vitaminës B12; anemi nga mungesa e hekurit; osteoporosis dhe humbje të masës muskulore.
Mungesa e hekurit dhe humbja e masës muskulore
Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandojnë konsumin e mishit për të luftuar sëmundje që lidhen me kequshqyerjen, sidomos në vendet në zhvillim.
Problemet me klasifikimin e IARC
Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se lista e kancerogjenëve e IARC-së duhet parë në kontekstin e duhur.
“Lista në vetëvete nuk thotë asgjë sesa e mundshme është që një agjent të shkaktojë kancer. Agjentët kancerogjenë nuk shkaktojnë kancer çdo herë e në çdo rrethanë. Disa prej tyre mund të jenë kancerogjenë vetëm në situata të caktuara, për shembull nëse një person ekspozohet në një mënyrë të caktuar (kur e gëlltit diçka dhe jo kur thjesht e prek atë). Gjithashtu, disa prej tyre mund të jenë kancerogjene vetëm tek njerëz që janë të prirur gjenetikisht. Disa mund të shkaktojnë kancer pas një ekspozimi të shkurtër, ndërsa të tjerëve mund t’u duhen vite me radhë ekspozimi. Edhe nëse një substancë është e njohur si shkatuese kanceri, kjo nuk do të thotë se duhet shmangur nga jeta jonë”, vlerëson SHAK.
Top Channel