Hetuesit britanikë që po ndjekin nga afër çështjen e avionit rus që u rrëzua mbi Sinai, janë të mendimit se një bombë ishte vendosur në vendin e bagazheve para se mjeti të ngrihej në ajër.
Qeveria britanike, e cila dy ditë më parë pezulloi fluturimet për në dhe nga Sharm el Sheikh, iu referohet disa bisedave të përgjuara mes militantëve.
Sidoqoftë, si Egjipti ashtu dhe Rusia, që janë palët më të përfshira në këtë ngjarje, kanë deklaruar se është ende herët që të dilet në përfundime të tilla.
Hetuesit britanikë që janë dërguar në Sharm el Sheikh pritet të kthehen në Londër, por do t’u lejohet të mbajnë vetëm një bagazh dore.
Ndërkohë, edhe linja ajrore franko-holandeze KLM po kufizon numrin e bagazheve në fluturimet për në Kajro duke u lejuar pasagjerëve vetëm një çantë dore.
Avioni rus “Airbus” me numër fluturimi 321 po fluturonte nga resorti turistik egjiptian drejt Shën Peterburgut, kur u rrëzua ditën e shtunë duke u marë jetën 224 pasagjerëve që ndodheshin në bord, shumica e të cilëve rusë.
Korrespondenti i BBC për sigurinë, Frank Gardner deklaron se, edhe pse zyrtarët britanikë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një defekti teknik, ata mendojnë se një gjë e tillë ka pak gjasa të ketë qenë shkaku i aksidentit.
Shërbimet britanike të inteligjencës morën informacione të reja ditën e mërkurë dhe Qendra Analitike e Terrorizmit pranë saj i ka kaluar ditët e fundit duke shqyrtuar se çfarë e rrëzoi avionin rus.
Top Channel