Shumë shtete i janë bashkuar Britanisë së Madhe në nismën për të mos i lejuar qytetarët të udhëtojnë drejt Sharm El-Sheikh të Egjiptit pas frikës së një bombë mund të ketë shkaktuar rrëzimin e avionit rus ku humbën jetën 224 persona.
Franca, Belgjika dhe Holanda kanë sugjeruar shtetasit e tyre që të mos udhëtojnë drejt këtij vendi, ndërsa kompanitë gjermane kanë anuluar fluturimet.
Kompanitë britanike do të fillojnë sot (e premte) që të rikthejnë në atdhe të gjithë turistët që gjenden në Egjipt, por nuk do të lejohen që të marrin bagazhet, përveç atyre të dorës.
Këto kompani ndaluan fluturimet drejt Egjiptit të mërkurën, pasi shërbimet e intelegjencës dyshojnë se rrëzimi i avionit u bë nga një bombë. Kryeministri Cameron deklaroi se siguria e qytetarëve britanikë duhet të vihet në radhë të parë.
Ndërkohë, “the Guardian” raportoi se ekspertët britanikë që kanë shkuar në aeroportin e Sharm El-Sheikh kanë mbetur të pakënaqur nga kushtet e sigurisë. Në të vërtetë, në fund të vitit të kaluar, shërbimet intelegjente britanike i kishin tërhequr vërejtjen Egjiptit për kushtet e sigurisë në këtë aeroport.
Atë kohë, siç dëshmon një punonjës i aeroportit, ekspertët britanikë kishin kërkuar masa më të forta sigurie si dhe të vendoseshin disa pajisje të tjera, si skaner, për të parandaluar aktet terroriste.
Mirëpo, sugjerimet e britanikëve duket se kanë hasur në vesh të shurdhër, por që pasojat e kësaj mund të jenë të tmerrshme nëse vërtetohet se rrëzimi i avionit është shkaktuar nga një bombë.
Top Channel