Komisioni Europian publikoi parashikimin ekonomik të vjeshtës për vendet anëtare dhe ato kandidate, që rezulton më pak optimist se në pranverë.
Rimëkëmbja ekonomike e zonës Euro dhe e Bashkimit Europian konsiderohet e ngadaltë, edhe pse më elastike dhe e përhapur në të gjitha shtetet anëtare, përkundër rënies së çmimeve të naftës dhe vlerës, relativisht, më të dobët të monedhës euro, jashtë.
“Një ritëm modest pritet të vijojë edhe në vitet e ardhshme, pavarësisht kushteve sfiduese të ekonomisë botërore”, deklaroi gjatë prezantimit komisioneri përgjegjës i BE-së.
“Po të shohim parashikimin e vjeshtës, kemi një tablo më të përzier. Pjesët potenciale të rritjes ekonomike po rimëkëmben, vetëm se në mënyrë shumë të ngadaltë. Kushtet e tregut të punës po përmirësohen, por mbeten pabarazi të larta. Raporti i borxhit ndaj GDP-së arriti kulmin në 2014 për zonën euro, por në disa shtete anëtare pritet të rritet edhe vitin e ardhshëm. Ndër to, unë do përmend Greqinë, Francën, Spanjën dhe Belgjikën”, deklaroi Pierre Moskovici, komisioner i BE-së për Ekonomi, Financa, Tatime e Dogana.
Për Shqipërinë, Komisioni Europian pret një forcim gradual të veprimtarisë ekonomike me ringjalljen e ciklit të investimeve. Politika monetare dhe konsolidimi fiskal parashikohet të vazhdojë me vendosmëri dhe norma e borxhit publik mund të nisë uljen gjatë vitit të ardhshëm, nga 72.4% të GDP-së këtë vit, në 72% gjatë 2016tës dhe 70.3% në 2017.
Ndryshe nga 6 muaj më parë, Komisioni Europian parashikon tashmë për Shqipërinë një rritje ekonomike prej 2.7% gjatë 2015-s dhe 3.3% vitin e ardhshëm, çfarë shënon 0.3% më pak në të dy rastet, krahasuar me parashikimin e pranverës.
Punësimi pritet të rritet në 1.7% këtë vit, nga 1.3% që vlerësohej në maj, 1.9% për 2016-n dhe 2.3% në 2017. Papunësia parashikohet në nivelin 17.5% këtë vit, 16.9% gjatë vitit të ardhshëm dhe 15.8% në 2017. Pavarësisht kreditimit të dobët të biznesit, investimet private parashikohen të mbeten të forta.
“Zhgënjyese” përkufizon Komisioni Europian të ardhurat në buxhet, falë “supozimeve tepër optimiste” për to, “pritshmërisë për një inflacion edhe më të ulët”, si dhe të ndikimit mbi të drejtat e pronësisë së Shqipërisë prej prodhuesve të naftës nga ulja e çmimeve në tregun ndërkombëtar.
Megjithë rishikimin e buxhetit në korrik, parashikimi për deficitin nuk ndryshon, 4% e GDP-së këtë vit, ndër të cilat 1.4% (e GDP-së) vlerësohen për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Vendi parashikohet të arrijë kufirin e lejuar të deficitit në BE prej 3% vitin e ardhshëm dhe kjo normë pritet të ulet në 2.1% gjatë 2017-s.
“Situata në Greqi mbetet burim rreziku” për vendin tonë, “nisur nga numri i lartë i emigrantëve që përfaqësojnë ende pjesën më thelbësore të remitancave, edhe pse në rënie drejt Shqipërisë, çfarë pritet të ndikojë negativisht tek konsumatorët familjarë”,siç analizon në këtë dokument KE.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel