Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur pasi u shemb një digë në një minierë hekuri në Brazil. Sipas autoriteteve lokale, ujrat e derdhura nga diga kanë përmbytur edhe zonat e banuara pranë minierës.
Zyrtarë lokalë thanë se diga mbante ujë të ndotur nga punimet e minierës dhe kur ajo u shemb një lumë balte të kuqe u derdh me shpejtësi drejt qytetit të vogël Bento Rodrigues.
Autoritetet kanë paralajmëruar se uji i përzier me mbeturinat e operacioneve në minierë mund të jetë toksik. Mësohet se diga u shemb mbrëmjen e së enjtes dhe kompania që zotëron minierën tha se shkaku për këtë ende nuk dihet.
Operacionet janë fokusuar kryesisht në kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve në nevojë, por janë penguar ndjeshëm nga frika për rrëshqitje dheu.
Top Channel