Pak ditë pasi hodhën poshtë deklaratat se ISIS rrëzoi avionin rus me pasagjerë në Sinai, shërbimet amerikane të inteligjencës tani sugjerojnë se grupi terrorist, ose struktura të tij, vendosën një bombë në avion.
Avioni u rrëzua ditën e shtunë, pasi shpërtheu në ajër, duke vrarë 224 personat që ndodheshin në bord. Ai ishte nisur nga Sharm el Sheikh drejt Shën Peterburgut. Më herët, edhe qeveria britanike kishte sugjeruar të njëjtën pistë.
Të dhënat e fundit të shërbimeve sekrete amerikane sugjerojnë se shpërthimi ka gjasa të jetë shkaktuar nga një bombë e vendosur në avion nga militantët e Shtetit Islamik.
Sipas CNN, zyrtarët theksuan se megjithatë për momentin nuk është arritur asnjë përfundim zyrtar, pasi zyrtarët amerikanë nuk janë njohur me provat shkencore të mbledhura nga hetuesit.
Shërbimet sekrete sugjerojnë gjithashtu se dikush në aeroportin e Sharm el Sheikh mund të ketë ndihmuar për importin e mjetit shpërthyes në bordin e avionit.
“Aeroporti ka mangësi në aspektin e sigurisë. Kjo dihet. Gjithashtu ka të dhëna që sugjerojnë për një ndihmë nga stafi i aeroportit”, kanë thënë burimet.
Autoritetet egjiptiane, që po drejtojnë hetimin mbi incidentin, nuk kanë reaguar publikisht ndaj deklaratave amerikane. Por që nga dita e ngjarjes ato kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen e terrorizmit.
Shenjat që sugjerojnë përfshirjen e ISIS, ka thënë më tej një zyrtar amerikan, bazohen pjesërisht në monitorimin e mesazheve të brendshme të grupit terrorist. Këto mesazhe janë të tjera nga ato që ISIS bën në publik, ka thënë zyrtari.
Top Channel