Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në “Top Story” në një përballje me analistët që zgjati gati 2 orë e 30 minuta, ku foli për qeverisjen e tij dhe reformat që kanë ngjallur debate.
Rama theksoi sërish se nuk do të ketë ndryshime në kabinet. Si gabimin e këtyre 2 viteve qeverisje, ai cilësoi mos nisjen më herët të aksionit për energjinë elektrike.
Rama komentoi edhe akuzat e opozitës, por për herë të parë edhe incidentin e goditjes me vezë.
Incidenti i vezës
Rama e nisi fjalën e tij duke deklaruar se reformat nuk mbarojnë kurrë, ndërsa më pas u ndal tek incidenti ku u godit me vezë.
“Besoj që është një kakarisje normale për një vend të lirë dhe nuk ka asnjë problem. Sigurisht që nëse do të më duhet të bëjë një interpretim, do bëjë interpretimin që deri dje për shkak të një kufizimi të madh, as e imagjinonte njeri që mund të bënte një akt të tillë; sot mund ta bëjë. Është një hap i madh përpara”, tha Rama.
Pati pretendime nga studentët për dhunë gjatë shoqërimit në polici. Por a u goditën vërtetë? Rama e mohoi këtë.
“Nga deklarata pashë që sipas tyre, në polici nuk u ushtrua dhunë, por u ushtrua jashtë. Nuk ndodh asgjëkundi që njerëzit e sigurisë të mos bëjnë detyrën, është bërë një verifikim normal dhe rezistenca dhe për më tepër pastaj unë ka m dëgjuar aty fjalët më vulgare. Edhe në video njerëzit dëgjuan fjalë vulgare. Nuk imagjinoj dot që të konsiderohen studentë të denjë ata që përdorin fjalët më vulgare ndaj kujtdo qoftë. Por ama dhunë nuk ka patur”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se grupi që mori përsipër sulmin me vezë ndaj tij, është shprehur kategorikisht kundër reformës në arsim, e cila, shtoi ai, është një reformë që gjithpërfshirëse, por që nuk mund të kënaqë të gjitha interesat.
Së fundmi, opozita ka përshkallëzuar sulmet ndaj qeverisë duke denoncuar, sipas saj, një sërë aferash korruptive, të cilat së bashku me reformat e forta, duket sikur kanë rritur pakënaqësinë shoqërore. Rama deklaroi se pakënaqësia shoqërore është nuk shkon përtej kufijve politikë të PD-së.
“Unë kam perceptimin tim për pakënaqësinë e shoqërisë, ju keni tuajin dhe të tjerët kanë të vetin. E sigurtë është që ajo çka fryn në mënyrë të përditshme me shumë gënjeshtra nga PD, nuk përfaqëson një pakënaqësi sociale që shkon përtej kufijve të vetë PD, që sot është në ditët e veta më të këqija nga pikëpamja politike”, deklaroi Rama.
Reformat dhe fluksi i azilkërkueseve
Kryeministri u ndal edhe tek fenomeni i azilkërkuesve. Ai mbrojti qëndrimin e mëhershëm se numri më i madh i azilkërkuesve janë shtetas shqiptarë që kanë lënë Greqinë për Gjermaninë. Gjithsesi, ai njohu efektin e përkohshëm të reformave të forta në këtë drejtim.
“Jemi në një proces reformash të domosdoshme, një përpjetë që duhet ta ngjisim që të kapim një tjetër majë. Ka një të dhënë shumë të thjeshtë, si shpjegohet që shumica e shqiptarëve kanë si pikënisje Greqinë dhe kryesisht aeroportin e Selanikut. Nëse do të ishin shqiptarë që ikin nga Shqipëria nuk kanë pse të shkojnë në Selanik për të marrë avionin. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve që shkojnë në Gjermani janë emigrantë shqiptarë në Greqi, që ritentojnë Gjermaninë. Unë flas me përgjegjësi për këtë që them. Sigurisht, ka edhe shqiptarë që ikin nga Shqipëria dhe kjo nisi kur Gjermania bëri publike nevojën për një numër shumë të madh punonjësish, krah pune për t’i punësuar dhe kjo u keqkuptua pjesërisht, u manipulua, shpërdorua. E dyta, varfëria dhe problemet sociale nuk lindën këto dy vjet. Janë plagë të rënda të trashëguara dhe raporti i BB është e provuar që nga 2008 deri në 2012 pati një rritje eksponenciale të varfërisë, ku ndikuan edhe faktorët e krizës financiare që u materializuan në rënien drastike të dërgesave të emigrantëve dhe çështje të tjera të brendshme. Ka një fakt që këtu harrohet, kemi tashëguar një borxh të drejtpërdrejtë të fshehur prej 720 mln dollarë që e kishte futur në kolaps të gjithë ekonominë. Shqipëria sot është në sallë operacioni. Kemi ndalur hemoragjinë. Është një periudhë reformash që do të shkojë deri në fund”, deklaroi kryeministri i cili shtoi se shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit ka dhënë efektet e veta në punësim, ndonëse të vakta.
Jaguaret
Një tjetër temë e nxehtë është edhe ajo e “Jaguarve”. Opozita thotë se qeveria po i blen tek një klient pranë saj, ndërsa qeveria thotë se po i merr me qira për të kursyer. Rama tha se po ndiqet një praktikë që ndiqet sot nga qeveritë në pjesën më të madhe të Euroës dhe në rajon.
“Ka një spekullim skandaloz. Fjala jaguar mund të impresionojë si fjalë në vetvete, por ne kemi bërë as më shumë, as më pak, atë që qeveritë e vendeve të tjera e kanë bërë prej kohës; qeveria nuk blen makina, nuk duhet të blejë makina, nuk duhet të mirëmbajë makina, duhet të marrë këtë shërbim me qira. Kështu ne kursejmë gjysmë milioni euro, të tjerat pastaj janë llafe”, tha Rama.
Një javë më parë, Presidenti Nishani deklaroi të kundërtën. Kreu i shtetit deklaroi madje se Presidenca do t’i refuzojë këto mjete, duke deklaruar se buxheti i institucionit që ai drejton është i pamjaftueshëm për përballimin e tyre.
Kryeministri Rama hodhi poshtë këtë deklaratë.
“Kjo është e pavërtetë. Në këtë llogari, i bie që një makinë kushtoka për çdo vit 50 mln dhe nëse ne kemi 20 makina i bie 1 mld. Kjo është gënjeshtër. Ky është një shërbim nuk ka lidhje fare dhe nuk është qeveria që i jep makinat. Ka një drejtori që bën këtë shërbim dhe sot ky shërbim është kontraktuar tek privati. Privati bën të gjithë shpenzimet për t’ia vënë në shërbim makinat qeverisë”, deklaroi kryeministri.
Lejet në Tiranë dhe “Laguna Blu”
Një tjetër akuzë ndaj qeverisë është edhe dhënia e një lejeje ndërtimi Delijorgjit në Tiranë, ku kryeministri tha se janë dhënë në përputhje me ligjin.
“Nuk kemi dhënë ne leje ndërtimi në Tiranë, kemi dhënë përputhshmërinë e kërkesave për leje ndërtimi që i janë bërë Bashkisë së Tiranës dhe me një sens pozitiv për të krijuar një mundësi për ekonominë dhe pasi ja kemi kthyer Bashkisë së Tiranës, ku ka qenë një dosje skandaloze, nga një numër i caktuar, është thënë që këto janë në përputhje dhe këto jo. Lejet e dhëna janë ekzekutim i një procedure të stërzgjatur. Të gjitha të tjerat ishin në shkelje të ligjit dhe mospërputhje dhe u refuzuan, ndaj u dhanë këto 6 leje. I kemi kthyer të gjitha dhe i kemi riparë dhe këto 6 kanë qenë konform ligjit”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u pyet edhe në lidhje me “Lagunën Blu” dhe lejen e dhënë atje për Aleksandër Frangajn. Rama mohoi të ketë telefonuar kreun e komunës së Golemit për të firmosur lejen për Frangajn.
“Nga pikëpamja e ligjshmërisë, aty nuk ka asnjë centim të shkeljes së ligji. Pastaj në një ndërtim me plan të miratuar, me tokë private dhe me të gjitha dokumentet në rregull, pavarësisht se mund të themi çfarë të duam sesi është privatizuar dhe si është bërë plani, të gjitha këto janë bërë nga institucionet e shtetit dhe sot ne jemi shteti. Nuk kam dhënë leje, kjo është e vërteta. A e kam telefonuar kreun e komunës? Këto janë fabula, thashetheme që nuk kanë asnjë të vërtetë”, sqaroi Rama.
Ekonomia
Sa u takon akuzave për ekonominë dhe pretendimeve të opozitës se ajo po shkon në greminë, kryeministri Rama solli në kujtesë raportin e Bankës Botërore për të mbrojtur linjën e ndjekur nga kabineti i tij në fushën ekonomike.
“Raporti i Bankës Botërore thotë se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet e mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto. Investimet private dhe rritja e investimeve të huaja direkte do të vazhdojnë të jenë faktorët kyç në rritjen ekonomike. Treguesit e tregut të punës; punësimi u rrit me 10. 6 përqind, papunësia shënoi rënie. Për të ardhurat; ndonëse nuk u realizua plani i të ardhurave, ne në vitin e shkuar kemi grumbulluar nga të ardhurat një shifër të barabartë me 5 vitet më të mira të qeverisë së PD, dhe ato u rritën me 4.4 përqind në krahasim me një vit më parë. Ndërsa ritmi i rritjes në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon dhe papunësia është më e ulta në rajon. Sot të mos harrojmë që reformat e Shrederit ishin baza mbi të cilën ekonomia gjermane dhe Gjermania lulëzoi me Merkelin. Reformat duan kohën e tyre”, deklaroi kreu i qeverisë.
Koncesionet
Duke u nisur nga përvoja me koncesionet e të shkuarës, Skënder Minxhozi ngriti shqetësimin ndaj kryeministrit Rama se mos po tregohet pakujdesi me dhënien e tyre. Kryeministri tha se nuk mund të paragjykohet partneriteti me privatin.
“Partneriteti publik-privat nuk është krim dhe paragjykohen me qëllim sa i përket përzgjedhjes. Pse shkojmë drejt këtij partneriteti? Si ta bëjmë Rrugën e Arbrit? Do të bëjë privati, në këtë rast një kompani e huaj kineze dhe ne do paguajmë me këste në kohë. Njerëzit duan shërbime më të mira dhe nuk kanë kohë që të presin nga shteti sa të gjejë lekët. Ne duam t’i japim privatit sportelet e shërbimeve të shtetit. Korrupsioni luftohet në sistem duke ndarë zyrën mbrapa me sportelin, që ndahet nga drejtori në zyrë. E gjithë puna është si i bën koncesionet”, deklaroi Rama.
Akuzat ndaj ministri Beqaj
Mustafa Nano ngriti shqetësimin mbi akuzat e hedhura ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ai kërkoi që ministri ose të padisë gazetarin që hedh këto akuza, ose të lërë punën.
“Sot ministrat kanë një mesazh shumë të qartë; nuk ka parti, shumicë dhe kryeministër që i mbron dhe i mban në Qeveri nëse përfshihen në një skandal dhe për të gjitha akuzat që u bëhen për ministrat kemi një strukturë që bën verifikime nga A-Zh dhe është në detyrën time në bazën e këtyre verifikimeve. Nëse do të ndodhë që një skandal i tillë është i vërtetë, do të jem unë i pari që do të çoj ministrin në prokurori. Beqaj ka goditur rrjete dhe lobe, ka prishur interesa të mëdha financiare dhe ashtu sikundër Saimir Tahiri, që është ministri që ka goditur më shumë interesa, ka prekur më shumë kallo, ka shqetësuar më shumë njerëzor, ka vetëm goditje ndaj tyre. Çdo akuzues, çdo gazetë që akuzon, përpara se të pretendojë që kryeministri të marrë masë duhet të provojë argumentojë ato që publikojnë”, tha Rama.
Ilir Meta
Emri i Ilir Metës nuk është lakuar në asnjë rast gjatë emisionit “Top Story”, gjë që kryeministri Rama mendon se është gjë e mirë, pasi nuk ka nevojë për pyetje në lidhje me raportet mes krerëve të dy partive të koalicionit përderisa ata janë ende bashkë.
“Unë mendoj që është gjë e mirë kjo (mos përmendja e Ilir Metës në emision) se kur jam unë përgjigjem edhe për Ilir Metën dhe kur është Ilir Meta përgjigjet edhe për mua, kështu që mbarojeni këtë historinë e pyetjeve që kur të vij unë pyesni ‘si po shkon me Ilir Metën?’ ose i thoni Ilir Metës ‘si po shkon me Edi Ramën?’. Për sa kohë ne jemi bashkë, mjafton të jetë njëri dhe flet edhe për tjetrin, s’keni pse e pyesni edhe për tjetrin”, tha Rama në fund të emisionit “Top Story”.
Batutës së Sokol Ballës pas këtij komenti të kryeministrit se “si duket prandaj edhe ai (Ilir Meta) nuk del më në ekrane, dilni vetëm ju”, Rama iu është përgjigjur “ma ka besuar mua”.
Top Channel