Nga Klodian MUÇO – Integrimi është një proces multidimensional që ka si qëllim bashkëjetesën në paqe brenda një realiteti social ndërmjet individëve, grupeve me kultura dhe etni të ndryshme, i ndërtuar mbi respektin e diversitetit, si dhe në respekt të të drejtave themelore dhe të institucioneve demokratike.
Integrimi është multidimensional, sepse në atë ndërthuren si aspektet sociale, siç mund të jetë kultura, si aspektet individuale, siç është gjendja psikologjike e individëve e mbi të gjitha, integrimi është një proces i gjatë dhe kërkon shumë kohë të realizohet. Të afirmosh që minorancat u integruan është e njëvlefshme me faktin që ato kanë asimiluar normat, vlerat dhe sjelljet e shoqërisë ku janë përfshirë.
Në përgjithësi, integrimi i plotë i minorancave është një objektiv i mbështetur gjerësisht nga të gjithë, i cili shpesh ka nxitur qeveritë e vendeve të ndryshme që të bëjnë të pamundurën për të realizuar këtë objektiv, edhe pse rezultatet nuk janë shumë të kënaqshme për shumë vende, siç mund të jetë p.sh. Italia (vendi më i preferuar i shqiptarëve). Në Itali, ngjarjet e fundit si fluksi i emigrantëve, kriza ekonomike dhe shkelja e ligjit nga të huajt ku ne si shqiptarë kemi mëkatet tona, kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e politikave të ndjekura nga qeveritë dhe ka sjellë rritje të ndjeshme të ksenofobisë. Shpesh, italianët, por jo vetëm, i konsiderojnë të huajt si sinonim të krimit, të ndotjes dhe të papunësisë. Po vallë pse ky opinion, çfarë kanë bërë realisht të huajt?
Sipas të dhënave të fundit të ISTAT-it (Instituti i Statistikave në Itali, më 1 janar të vitit 2015 numri i emigrantëve në Itali ishte 5.014.437 dhe përbën 8.2% të popullsisë. Shqipëria renditet e dyta për sa i përket madhësisë së komuniteteve të huaja rezidente në Itali me 9.8% të totalit ose 490.483 nënshtetas shqiptarë.
Në realitet, në Itali, të huajt përfaqësojnë më pak se 10% të numrit total të rezidentëve, por të burgosurit me një nënshtetësi të huaj nga ajo italiane, më 31 dhjetor 2014 përbënin 32.56% të totalit të të burgosurve; ku shqiptarët janë të tretët në listë dhe përbëjnë 12.2% të totalit ose 2130 të burgosur. Përqindja shumë e lartë e të burgosurve të huaj në tërësi dhe e shqiptarëve në veçanti është për motive të ndryshme, si integrimi, varfëria dhe mungesa e shpresës që i çon ata drejt shkeljes së ligjit. Në fakt, nëse do të shohim impaktin që ka pasur kriza ekonomike te futja dhe qëndrimi i të huajve në tregun e punës, situata është vërtet shumë e rëndë.
Sipas të dhënave të ISTAT, në vitin 2012, 10.3% e të punësuarve në Itali ishin të huaj, ndërsa në 2014 përqindja e të punësuarve të huaj në raport me totalin kaloi në 10.4%, me një rritje prej vetëm 0.97% në dy vjet. Nëse këtë rritje do ta krahasonim me rritjen e numrit të emigrantëve në Itali për periudhën në fjalë (e cila ka qenë 14.28%), atëherë mund të themi se rritja e të punësuarve ka qenë e papërfillshme.
Nëse do të analizojmë të dhënat për punët e kryera nga të huajt do të vëmë re se gati 90% e shqiptarëve dhe e të huajve në tërësi kryejnë punë jo të kualifikuar dhe me një vlerë të ulët të shtuar, duke krijuar një segment punësimi “ekskluzivisht” për të huajt, siç mund të jetë këtu: ndërtimi, agrikultura apo pastrueset e shtëpive për gratë, të cilat nga rreth 900 mijë që janë aktualisht në Itali, 81.5% e tyre janë të huaja. Gjithsesi, këto pastruese edhe pse bëjnë kryesisht një punë jo të kualifikuar dhe të paguar pak, ato derdhën në arkat e shtetit italian 700 milionë euro për vitin 2014.
Një tregues interesant për punësimin e kualifikuar është fakti se, nëse 50 nga çdo 100 të punësuar italianë janë punonjës zyrash, vetëm 8 nga 100 të punësuar emigrantë janë të tillë.
Ndërsa nëse do të shohim diferencat në paga, në një studim të vitit 2012 rezulton se një punëtor i huaj në Itali, me kompetenca të njëjta me një italian, paguhet 344 euro më pak (minus 26,2%) më pak se italiani, edhe pse kanë të njëjtin rezultat final.
Shpesh italianët ankohen se të huajt u “vjedhin” punën vendasve, por nëse do të vërejmë të dhënat e ISTAT rezulton se dy vite më parë, në Itali kishte 335 mijë ndërmarrje me pronar emigrantë me një rritje prej 23000 njësi ose 7.3% më shumë se në 2013. Ndërsa ndërmarrjet e drejtuara nga italianët patën një rënie me 28619 njësi ose minus 0.62% në krahasim me vitin 2013.
Te ndërmarrjet e hapura nga të huajt rol të rëndësishëm kanë edhe shqiptarët që renditen të parët në sektorin e ndërtimeve me 23000 ndërmarrje të hapura prej tyre.
Nëse nga pikëpamja sociale, për italianët emigrantët nuk janë një e mirë për ta dhe krijojnë probleme, nga pikëpamja ekonomike, të huajt duhet të konsiderohen kosto apo një vlerë e shtuar?
Sot, 11.9% e italianëve rezidentë në Itali janë mbi 75 vjeç, ndërsa nga emigrantët që janë rezidentë në Itali vetëm 0.9% e tyre janë mbi 75 vjeç; ose më thjesht 1 në 10 italianë është mbi 75 vjeç, ndërsa tek të huajt 1 në 100 është mbi 75 vjeç. Mosha mesatare e të punësuarve italianë është 44 vjeç, ndërsa mosha e emigrantëve të punësuar në Itali është 31 vjeç. E nëse italianët kanë tendencën të plaken si popullsi, pasi lindjet janë të pakta dhe jetëgjatësia po shtohet, atëherë të huajt supozohen të kenë një tendencë të ulët të plakjes, pasi lindin më tepër fëmijë.
Sipas të dhënave po të ISTAT, nga 5 milionë të huaj që janë aktualisht në Itali, më tepër se 1 milion prej tyre janë minorenë. Këto të dhëna na tregojnë në njëfarë mënyre se pjesa më e madhe e kontributeve shoqërore që do të derdhen në të ardhmen në Itali nga të huajt do të shkojnë për pagesat e pensioneve për italianët. Aktualisht, këto kontribute janë 10.8 miliardë euro në vit.
E nëse do të marrim në konsideratë PBB-në italiane në bazë të numrit të të punësuarve rezulton se rreth 10 miliardë euro ose 0.8% e saj prodhohet çdo vit nga emigrantët shqiptarë.
Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Leone Moressa” në Itali del se diferencat ndërmjet të ardhurave nga emigrantët dhe kostot që ka shpenzuar shteti italian për emigrantët, për vitin 2014, janë plus 3.9 miliardë euro. Ky tregues, edhe pse pak kompleks për t’u llogaritur dhe me marzh gabimi brenda, tregon se emigrantët në Itali japin një kontribut pozitiv për zhvillimin ekonomik të saj dhe nuk janë peshë për arkat e shtetit, ashtu siç aludojnë eksponentë të së djathtës ekstreme italiane.
Për të konkluduar mund të themi se shqiptarët, ashtu si në Itali, në çdo vend që shkojnë mundohen të punojnë qoftë edhe punë të rëndomta, të pakualifikuara dhe të paguar keq për t’u siguruar një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre. Ashtu si në Itali, shqiptarët shquhen për aftësi sipërmarrëse sidomos në fushën e ndërtimit, e kjo ndoshta ngaqë është një ndër punët më të vështira që popullsia e vendeve të zhvilluara e eviton. Nga kjo mund të aludohet se qytetarët shqiptarë edhe në Shqipëri meritojnë më tepër mundësi për të ecur përpara. Shteti duhet të bëjë më tepër për ta. Është e pakonceptueshme se si në dhjetëvjeçarin e fundit, politikanët shqiptarë çdo ditë e më tepër mundohen që çdo shërbim ta japin me koncesion. Koncesioni është një formulë që aplikohet për investime rigoroze që shteti nuk është në gjendje të kryej investime. Koncesioni nuk sjell gjithmonë zhvillim për vendin, ai sjell shpesh varfëri. Mjafton të marrim në konsideratë këtu faktin që me qindra milionë euro të shqiptarëve dalin çdo vit nga Shqipëria, falë përfitimeve që marrin të huajt nga këto koncesione, lekë që ndoshta do ishin më të dobishme të rrinin brenda vendit dhe të investoheshin në Shqipëri.
Është paradoksale se si në Shqipëri janë dhënë me koncesion shumë fusha kryesore. E nga ana tjetër, Investimet nga të huajt që kanë përfituar koncesionet kanë qenë qesharake, nëse do krahasohen me fitimin që gjenerohet prej tyre. Akoma më keq kur bizneset paguajnë për një shërbim që nuk e marrin. Këto janë praktika që nuk aplikohen as në vendet e prapambetura si Gaboni apo Burundi. Duhet që kjo praktikë të marrë fund dhe shqiptarët jo vetëm mos të emigrojnë më, por të kthehen pasi përvoja e tyre në emigracion do të ishte një vlerë e shtuar për vendin.
Top Channel