Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i shoqëruar nga një grup ekspertësh të Bordit Kullues të Shkodrës, ka vizituar këtë të mërkurë punimet që po bëhen në argjinaturën e lumit Buna, në zonën e Shirgjit të komunës Dajç.
Gjatë përmbytjeve të vitit 2010, Buna arriti nivele maksimale dhe pas tërheqjes së ujërave pati një riaktivizim të gërryerjeve.
Në takimin me drejtuesit e grupeve të punës, Panariti kërkoi vëmendje dhe cilësi në zbatimin e projektit, duke vënë në dukje rëndësinë e tij.
Zona e Shirgjit ka një gjatësi rreth 200 metra dhe fondi i derdhur nga qeveria për këtë investim arrin mbi 33 milionë lekë.
Më pas Panariti ndoqi nga afër edhe punimet në kanalin ujitës të Grizhës, në Malësinë e Madhe. Edhe këtu ai kërkoi një angazhim serioz të grupeve punuese.
Grizha është vazhdim i kanalit të Shtodrit dhe përshkon një distancë prej 10 kilometrash. Për të po derdhen gradualisht nga shteti fonde që arrijnë deri në 69 milionë lekë. Nga ky investim pritet të përfitojnë rreth 600 fermerë.
Top Channel