10 nga 16 të pandehurit e dosjes “Lazarat 2014” përfituan gjykim të shkurtuar. Mes të pandehurve që përfituan gjykimin e shkurtuar janë edhe Gate Mahmutaj dhe i biri i tij Vandami, të cilët u akuzuan si nxitësit kryesorë të rezistencës me armë ndaj operacionit të policisë kundër kultivimit të kanabisit në fshatin Lazarat, në vitin 2014.
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ka bërë që dosja për gjashtë të pandehurit e tjerë të këtij procesi, dhe më konkretisht Florjan Shurdhit, Gurgaz Skënderit, Arbjon Alikos, Alfred Prokos dhe Beqo Brahimit, do të ndahet për t’u gjykuar nga një tjetër trup gjykues.
Ndërsa për 10 të pandehurit për të cilët u pranua gjykimi i shkurtuar, gjykata ka caktuar seancën e ardhshme, kur prokuroria duhet të paraqesë konkluzionet përfundimtare. Të gjithë të pandehurit e kësaj çështjeje, e cila tashmë do të ndahet në dy procese, akuzohen për veprat penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Krime këto që kanë të bëjnë me kundërshtimin e forcave të policisë në muajin qershor të vitit 2014 në fshatin rebel të Lazaratit, kur për herë të parë policia ndërmori operacionin disaditor për shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimën narkotike.
Top Channel