Tjetër arratisje nga Komisariati Nr.3

03/11/2015 10:45

Dy policë janë vënë nën hetim pas një arratisjeje në Komisariatin nr. 3 në Tiranë. Një 26-vjeçar i arrestuar nga forcat operacionale herët në mëngjesin e së martës, arriti të largohej nga komisariati vetëm dy orë pas arrestimit.

Bledar Zefi rezulton i dënuar për grabitje me armë nga një gjykate italiane dhe ishte në kërkim ndërkombëtar.

Urdhri për arrestimin e tij është ekzekutuar nga policia dhe ai është transferuar për në qelitë e Komisariatit nr. 3. Në momentin e largimit ai ka qenë i shoqëruar nga dy policë në korridorin e ndërtesës dhe ka qenë i palidhur me pranga.

Kamerat e brendshme të sigurisë së komisariatit kanë filmuar momentin kur dy policët janë goditur nga 26-vjeçari dhe nuk kanë mundur të reagojnë për ta ndaluar atë.

Pasi ka goditur policët, i arrestuari ka dalë në rrugë me vrap dhe është larguar mes pallateve të “Rrugës Mine Peza” dhe nuk është pikasur më nga policia.

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa nisi hetimin nga ku rezulton se në këtë mes janë të implikuar vetëm dy policët që e shoqëronin 26-vjeçarin.

Prokuroria ka sektruestruar pamjet filmike të kamerave të brendshme të sigurisë së vetë komisariatit, nga ku duket qartë, sipas saj se, policët e kanë mbajtur të shoqeruarin të pa prangosur si edhe nuk kanë patur vëmendjen e duhur për reagimet e tij.

Bledar Zefi ka humbur gjurmët dhe policia është duke sekuestruar filmime të kamerave të sigurisë së bizneseve rreth e rrotull komisariatit për të parë se çfarë drejtimi mori pasi doli nga dera e Komisariatit nr. 3.

Në janar të këtij viti, nga Komisariati nr. 3 u largua edhe këngëtari Arkimed Lusha, për të cilin u arrestuan disa policë.

Godina e Komisariatit 3 mbaroi rikonstruksionin vetëm pak ditë më parë, por duket se rindërtimi i godinës nuk ka mjaftuar për të rritur kushtet e sigurisë për të arrestuarit e rrezikshëm.

FOTO GALERI
1/1
Tjetër arratisje nga Komisariati Nr.3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA