Minoriteti jazidi, gati për ofensivën ndaj ISIS-it

03/11/2015 16:55

Një pjesë e mirë e valës së refugjatëve që po përmbyt vendet fqinje me Sirinë dhe Europën janë njerëz që i largohen konfliktit të përgjakshëm në vendlindje, me shpresën të krijojnë një jetë të re jashtë atij vendi të kthyer në Ferr. Por jo të gjithë të shpërngulurit duan të largohen.

Një grup i vogël prej tyre i ka vënë vetes një objektiv të qartë, edhe pse tmerrësisht të vështirë: të luftojë ISIS-in. Bëhet fjalë për dhjetëra pjesëtarë të minoritetit jazidi, të angazhuar maksimalisht në stërvitje me qëllim final ndërmarrjen e një ofensive që kanë ëndërruar prej kohësh: mësymjen e Sinjarit, qytetit të tyre, sot të kontrolluar prej Shtetit Islamik.

Vitin që shkoi, bota pa me tmerr sesi ishin rrethuar 50.000 jazidi në malin e Sinjarit. Miliantët u dhanë ultimamum, ose të largoheshin, ose do të shkoheshin në thikë. Me qindra vetë ishin masakruar një javë përpara kësaj ngjarjeje, 40 nga të cilët fëmijë. Besimi i lashtë i këtij grupi me shumicë etnike kurde e kishte kthyer në shënjestrën e xhihadistëve të dhunshëm; burrat vriteshin, gratë dhe vajzat merreshin skllave. Tani, 5.000 meshkuj jazidi janë mobilizuar vullnetarisht për betejë nën komandën e peshmergave kurde. Pjesa dërrmuese janë fermerë: të paktë janë ata me eksperiencë ushtarake.

Këta njerëz, thotë CNN, presin me padurim të hidhen në aksion e të marrin hakun e të afërmve të vrarë. Megjithatë, e dinë se rruga që i pret përpara është e përgjakshme. Peshmergat llogarisin që në Sinjar të ketë me qindra luftëtarë të ISIS-it të përgatitur me gjithë gjasat që të luftojnë deri në pikën e fundit të gjakut, ndërsa tokat përreth janë të mbushura me mina e kurthe vdekjeprurëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA