Shfrytëzimi i stadiumit “Loro Boriçi” për një periudhë 20-vjeçare për ndeshjet e ekipeve kombëtare duket se mban pezull kontratën mes FSHF-së dhe Bashkisë Shkodër, kontratë e cila do të bëjë të mundur lëvrimin e fondeve nga UEFA.
Gjatë inspektimit të punimeve të këtij impjanti, presidenti Duka ka qenë i prerë në deklaratat e tij: “Investimi që ka bërë FSHF-ja së bashku me qeverinë nuk është se ka ndonjë qëllim rikthimi pronësie apo diçka e tillë. Ne kemi kërkuar vetëm që ekipi kombëtar të luajë këtu pa shpërblim, asgjë tjetër. Ta marrë stadiumin në dorëzim të padëmtuar 2 ditë para ndeshjes dhe ta dorëzojë një ditë pas ndeshjes, sërish të padëmtuar. Dëshira ime dhe besoj se dhe e gjithë Shkodrës është që kombëtarja të luajë këtu, por nëse nuk është kjo dëshirë, kombëtarja nuk vjen”.
I pyetur në lidhje me defektin në ndërtim, ku tribuna kryesore pengon pamjen e fushës për një pjesë të tribunës ngjitur, Duka u shpreh se ajo është diçka që rregullohet: “Këndi i bashkimit të tribunave lë një pjesë cepi të pashfrytëzuar. Janë rreth 85 vende nga ku nuk mund të shikohet ndeshja. Do të ktijohet një ambient që do i shërbejë stadiumit”.
Stadiumi i ri “Loro Boriçi” është parashikuar të ketë 17 mijë vende dhe është modeluar që të jetë stadiumi më modern në vend, me një investim prej rreth 12 milionë eurosh.
Top Channel