Kanabis drejt Italisë, shkon për gjykim grupi i trafikantëve

03/11/2015 14:20

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar këtë të martë kërkesën për gjykim për 7 persona, të akuzuar se kanë tentuar të trafikojnë me skaf drejt Italisë një sasi prej 780 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Të akuzuarit, të cilët janë hetuar nën masën e sigurisë “arrest me burg”, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, për të cilët hetimi po vijon, kanë siguruar, transportuar dhe marrë masat për imbarkimin e lëndës narkotike në një mjet lundrues tip skaf dhe kanë tentuar ta trafikojnë drejt brigjeve të Italisë.

Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e 30 shtatorit 2014, me trafikantët që do të niseshin nga Laguna e Vilunit, në bregun e Velipojës.

Plani i tyre u konstatua nga agjentë të Guardia di Finanza dhe rojes kufitare shqiptare, të cilët i ndaluan trafikantët tek vendi i njohur si Rana e Hedhun, midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit.

Kur vunë re praninë e forcave të policisë, personat në fjalë i hodhën çantat me kanabis në det, por ato u rekuperuan dhe u konfiskuan në cilësinë e provës materiale.

Personat në fjalë janë identifikuar si shtetasit: Mikel Hoxha, Indrit Rraja, Ervis Sulo, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Çokaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA