Policia gjermane në qytetin e Frankfurtit ka bastisur zyrat qendrore të Federatës Gjermane të Futbollit lidhur me dyshimet për evazion fiskal të lidhur me Kupën e Botës 2006.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, agjentët kanë kontrolluar edhe banesat e presidentit të federatës, Wolfgang Niersbach dhe parardhësit të tij në këtë detyrë, Theo Zwanziger.
Bastisjet vijnë në një kohë kur në media qarkulloi lajmi se një fond sekret prej 6.7 milionë euro ishte ngritur për të siguruar votat që Gjermania të priste në shtëpinë e saj Kupën e Botës 2006. Nga ana e saj federata i mohon këto akuza.
Në një deklaratë, zyra e prokurorit konfirmoi hapjen e një hetimi mbi deklaratat për një evazion fiskal të lidhur me dhënien e Kupës së Botës 2006.
Në njoftimin zyrtar thuhet se po hetohet pikërisht dyshimi për transfertën e 6.7 milionë euro nga Federata Gjermane, DFB, tek FIFA.
Presidenti i DFB-së, Niersbach i mohon akuzat duke thënë se, shuma e sipërpërmendur ishte përdorur për t’i ofruar një fond më të madh FIFA-s dhe jo në formë ryshfeti.
Por Zwanziger akuzoi parardhësin se gënjen, duke thënë se, “është e qartë që fonde ielgale kishte pasur.
Top Channel