Rusia ka deklaruar se avionët e saj ushtarakë kanë bombarduar disa pozicione të militantëve të ISIS rreth qytetit antik sirian të Palmirës.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes, avionët Su-25 arritën të shkatërrojnë një fortifikatë, një bunker dhe armë antiajrore.
“Avionët Su-25 goditën disa pozicione të ISIS në zonën e Tadmur në provincën e Homs. Si rezultat i këtij sulmi direkt, një fortifikatë, një bunker dhe armë antiajrore janë shkatërruar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Aktivistët thanë se zona rreth një kështjelle të rindërtuar në shekullin 13 në perëndim të Palmirës ishte cak i sulmeve ajrore, duke shtuar se e kishin të pamundur të bënin vlerësime mbi shkallën e dëmtimit.
Gjithashtu, edhe aktivistët nga “Observatori për të Drejtat e Njeriut” raportuan për sulme ajrore të kryera nga Rusia në afërsi të qytetit të Al-Qaryatain, që është në duart e ekstremistëve të ISIS nga gushti i këtij viti.
Top Channel