Turqi, Erdogan: Bota të njohë rezultatin e zgjedhjeve

02/11/2015 10:50

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se, bota duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim siguroi shumicën.

Në prononcimin e tij, Erdogan deklaroi se votuesit kishin zgjedhur stabilitetin dhe jo vazhdimin e trazirave.

Me thuajse të gjitha votat të numëruara, AKP ka fituar 49.4 për qind të votave, ndërsa opozita e CHP-së 25.4 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Anadolu”.

Lira turke dhe aksionet në tregun financiar të Stambollit reaguan pozitivisht pas mbajtjes së zgjedhjeve. Lira u ngrit me mbi 4 për qind kundrejt dollarit, ndërsa treguesi i bursës u ngrit mbi 5 për qind që në orët e para të së hënës.

“Kombi e shprehu qëndrimin e tij më 1 nëntor në favor të stabilitetit. Le të ndjekim këtë rrugë, të jemi vëllezër dhe turq”, deklaroi Erdogan.

Por nga ana tjetër ai sulmoi qëndrimet kritike të mediave ndaj tij dhe përsëriti apelin për njohje globale të rezultatit të zgjedhjeve.

“Një parti me rreth 50 për qind të votave ka marrë pushtetin në Turqi dhe kjo duhet të respektohet nga e gjithë bota. por deri tani nuk kam parë një maturi të tillë”, tha Erdogan.

Ai i organizoi zgjedhjet pasi partia e tij humbi shumicën parlamentare në qershor, për herë të parë në 13 vjet, dhe pasi përpjekjet për të formuar një qeveri koalicioni dështuan.

Partia pro-kurde HDP kaloi pragun prej 10 për qind për të siguruar vendet në Parlament, por pësoi një rënie të mbështetjes që nga votimi i qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA