Për partinë islamike të Recep Tayyip Erdoganit, e diela solli një ndryshim befasues në peizazhin elektoral të përvijuar aq zymtësisht për të nga votimet e qershorit; AKP-ja rifitoi shumicën në Parlament, Erdogani siguroi vazhdimësinë e dominimit të skenës politike vendase, pas muajsh të tërë trazirash politike e dhune.
Një triumf i madh për Presidentin; një zhgënjim i thellë për kundërshtarët, aq më tepër kur anketimet parazgjedhore parashikonin, e shumta përsëritjen e skenarit të 6 muajve më parë.
Fitorja duket se përligj strategjinë elektorale të Erdoganit për t’u shfaqur sa më nacionalist, si dhe ndjekjen e linjës së ashpër me militantët kurdë në juglindje të vendit, ku përplasjet kanë rifilluar prej kohësh.
Një pjesë e mirë e avancimit të AKP-së, në fakt, erdhi në kurriz të partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë. “Erdogani hodhi zarat dhe i eci”, thotë për “New York Times” Suat Kiniklioglu, drejtori ekzekutiv i qendrës së komunikimit strategjik me seli në Ankara.
“Ky për AKP-në ishte një sukses tmerrësisht i madh”, shton ish-ligjvënësi, që dikur ka qenë edhe vetë pjesë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, ndërsa sot rreshtohet në krah të kritikëve të partisë në pushtet.
Ishte pikërisht frika e njerëzve dhe dëshira për stabilitet, ajo që i ktheu AKP-së shumicën parlamentare, e kjo u kuptua edhe nga vetë deklarata e Erdoganit pas shpalljes së rezultateve paraprake.
Gjatë 5 muajve, që kontribuuan në ringritjen e partisë me rrënjët në fenë Islame, Turqia ra prè e sulmeve terroriste. Shpërthimet në Suruç e Ankara, rikthimi i makthit të vjetër të Partisë Punëtore të Kurdistanit, por edhe rreziku i shtrirjes së konfliktit sirian brenda kufijve të saj, i shtynë turqit të zgjedhin strehën e sigurtë të sundimit njëpartiak, që mund të sjellë fundin e terrorit dhe qëndrueshmëri në vend.
Në strategjinë e saj grabitqare, – thuhet në “New York Times”, – qeveria e tranzicionit, një zgjatim “de facto” i drejtimit të mëhershëm të AKP-së, nuk ngurroi të kërkonte jo vetëm mbështetjen e nacionalistëve, por edhe atë të familjeve që vajtonin humbjen e njerëzve të dashur nga sulmet vdekjeprurëse.
Erdogan e përsëriti vazhdimisht gjatë fushatës së tij, nevojën për bashkimin e vendit rreth një force të vetme, e cila të garantojë stabilitet. Ndaj dhe përshkallëzimi i beftë i aktiviteteve terroriste në periudhën që parapriu zgjedhjet e 1 nëntorit, konsiderohet tashmë si faktori kryesor që i siguroi AKP-së një rikthim kaq të fuqishëm në politikën vendase.
Top Channel