Një personazh me influencë dhe një legjendë e garave me makina në Britaninë e Madhe si Nigel Mansell, nuk arrin të kapërditjë ndryshimet që ka pësuar Formula 1.
Ish-piloti i njohur ishullor, tashmë në rolin e opinionistit ka thënë se garat aktuale duhet të ndizen edhe më shumë duke u bërë pikante për tifozët. Kampioni i botës në vitin 1992 beson se kjo kategori sportive ka patur më shumë personalitete në të kaluarën, dhe asokohe pilotët kishin më tepër aftësi në timon.
62-vjeçari ishte më i miri i Formula 1 në turneun para 23 vjetësh dhe shihet gjerësisht ende, si nga emrat më entuziazmues të turmave.
“Mendoj se Çmimet e Mëdha duhet të bëhen më pikante pasi ka rregulla dhe kufizime në ditët moderne të Formula 1, që neutralizojnë karakterin e pilotëve. Në ditët e mia në timon, diferencën e bënin aftësitë e pilotëve dhe mënyra sesi menaxhonin makinën, por sot është ndryshe. Tani ka mbi 300 komanda në timonin e makinave të Formula 1, ndërsa ne kishim një apo dy të tilla”, tha Nigel Mansell.
Në pistën e Meksikës ku të dielën zhvillohet gara e Formula 1, ka një kthesë të pagëzuar me emrin e pilotit britanik.
Top Channel