Mungesa e mjekëve specialistë, 100 të parët do të shkojnë në rrethe

31/10/2015 16:05

Në 24 spitalet e qyteteve kryesore të vendit, prej disa vitesh mungojnë mbi 200 mjekë specialistë. Nëse një i sëmurë ka probleme kardiologjike dhe jeton në Korçë, Lushnje apo Fier, duhet të vijë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” për të marrë mjekimin e duhur.

Kjo mungesë shërbimesh ka sjellë një zhvlerësim të spitaleve rajonale dhe mbipopullim të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

“Do ketë rreth 200 mjekë që do shpërndahen në këtë skemë. Në këtë fazë të parë janë rreth 100 mjekë që do shpërndahen, pasi fluksi i referimit nuk ka qenë i mirorganizuar. Pra, në këtë fazë të parë do të kuptohet ku ka më shumë nevojë nëpër spitale, që në një moment të dytë të rregullohen shërbimet jetësore për ato spitale që kanë më shumë flukse”, deklaron Milva Ikonomi, zv/ministre e Shëndetësisë.

Në fillim të nëntorit do të bëhet përpunimi i të dhënave për punësimin e 100 mjekëve të parë në këto  spitale të vendit. Mjekët e rinj të cilët do të pranohen, do të kenë një bonus prej 100 mijë lekësh.

“QSUT është shërbim universitar, që përveç shërbimit të zakonshëm duhet të japë edhe shërbim në fushën e kërkimit dhe akademisë. Duhet të vendoset një balancë që të jetë më shumë akademi dhe kërkim, sesa shërbim normal spitalor. Qëllimi është që të përmirësohet sistemi i referimit dhe që QSUT të marrë role më të fuqishme në fushën e kërkimit dhe akademisë”, nënvizon Ikonomi.

Mungesa e këtyre shërbimeve për një kohë të gjatë ka bërë që të mos ketë referim të saktë të numrit të pacientëve në këto spitale, ku për vite të tëra ata nuk kanë marrë shërbimet e kërkuara, të cilat janë jetësore për shëndetin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA