Nga Artan Mullaj – Në një konferencë botërore për problemet e moshës së tretë, që u zhvillua në Lund të Suedisë, mes pjesëmarrësve njoha një profesor të moshuar danez, Denis Papin, që i ngjante Xhorxh Bushit, të vjetrit. Ishte i njohur dhe krijonte rëndesë në sallë, nëse e tillë mund të quhet tërheqja e vëmendjes; rebelimin spontan që kishte tek ndërpriste e kritikonte pa leje folësit në tribunë, pjesëmarrësit e mirëkuptonin: e mirëkuptonin ashtu si adhuruesit e Ajshtajnit nuk e patën keqkuptuar kurrë shëmtinë e tij fizike dekada më parë.
Kur gjatë darkës qëlloi të isha në të njëjtën tryezë me të dhe më pyeti se nga vija, unë rrezatova si të tjerët dritën e mirënjohjes për pjesëmarrjen e tij të çmuar në konferencë. Si e bëja këtë? Duke ndarë çdo fjalë të përgjigjes sime me buzëqeshje naive. Por buzëqeshja e fundit naive më ngriu në buzë. Vërtet vini nga Shqipëria?!, u habit profesori. “Zoti im! Kam qenë dy herë në Tiranë. Dhe më lejoni t’ju them çfarë mendoj. Dielli do shuhet më parë se sa vendi juaj të bëhet si Suedia”.
Disa qeshën, kurse fytyra ime u ngurtësua si një maskë e bërë prej stalaktitesh; dashamirësia ime për sozinë e Xhorxh Bushit u shpartallua. Ky profesori vazhdoi të merrej me një pakistanez që kishte përballë, doktor shkencash, duke e ngacmuar dhe provokuar të qeshura me humorin e tij që, më shumë se anglez ishte vulgar. Unë u tërhoqa në patriotizmin tim të lënduar. Rrija si të më kishin hedhur një kovë uji të akullt në shpinë: Ndihesha si një nacionalist i bërë prej qeramike, i mundur në një duel të pashpallur, që në goditjen e parë.
***
Respekti për natyrën është shkalla më e lartë e vlerësimit për veten. Por nuk është vetëm vlerësim. As vetëm detyrë. Është detyrim! Askund më shumë se në peizazhet e natyrës mund të ndeshësh kaq qartë fisnikërinë e njeriut. Peizazhet e Berlinit, të pushtuara nga pyjet dhe të sunduara nga kujdesi prindëror i brezave për pasardhësit e tyre, të krijojnë me dhunë perceptimin se atje, mes fuqive të tjera të natyrës, disiplina e njeriut është një nga më të mëdhatë. Kopenhaga, i çliruar nga furia metalike e trafikut të makinave, regëtin optimizëm dhe shpresë; optimizëm dhe shpresë për të ardhmen e pastër të planetit, që mund të ishte ndryshe nëse edhe kombet e tjera do të mendonin më ndryshe, më mirë. Nuk kisha qenë herë tjetër në Danimarkë, prandaj më befasoi ky fakt shumëthënës: shumica e qytetarëve zgjedhin të lënë në shtëpi veturat dhe të lëvizin me biçikleta ose mjetet e transportit publik. Pastaj Suedia! Simbol i ekologjisë dhe përsosmërisë kolektive, që rrezaton në çdo metër katror të territorit të vërtetën se pak vende në planet mund të jenë si ajo. Mes këtij kujdesi jetojnë njerëz të shëndetshëm që qëllim parësor në jetën kolektive kanë kujdesin ekstrem për fëmijët e tyre. Nëse kujdesesh për edukimin dhe shëndetin e tyre, je kujdesur për shumëçka. … Të kthehesh në Tiranë mbasi ke udhëtuar mes këtyre vendeve, dëshpërimi që të pushton është një ndjesi komplekse, së cilës nuk mund t’i shmangesh kollaj dhe as përshtatesh kollaj. Në shumicën e hapësirave publike të kryeqytetit shqiptar ngrihet një lapidar imagjinar i shëmtisë. Parregullsia është shndërruar në monarki. Tymra, varfëri, anarki. Çfarë spikat sot në Tiranë veç fëmijëve të helmuar nga ndotja e frikshme e ajrit? Njerëz pa dashuri, qytetarë të vrazhdë, të shqetësuar, të ashpër, që buzëqeshin rrallë; fytyra nervoze shoferësh që nuk presin dot në radhë, sepse nxitojnë me veturë drejt idiotësisë së tyre; ish-pushtetarë fodullë e mediokër, me fytyra të lyrosura, që hanë darka të shtrenjta në lokale luksoze gjatë natës me paratë që kanë vjedhur në kohën e tyre. Çfarë mungon sot në Tiranë veç kujdesit për veten, fëmijët dhe ambientin? Një monument bronzi i pluhurosur i profesorit danez, cinik përballë Skënderbeut, në pritje të shuarjes së Diellit…
***
Në njërin nga pushimet e konferencës, që zhvillohej në periferi të qytetit, ndodhi diçka po kaq befasuese sa ironia e profesorit për të ardhmen e Shqipërisë. Njëri nga delegatët duhanpirës, hodhi në ngut e sipër cigaren e ndezur në trotuar. Disa fëmijë të vegjël me çantat e shkollës në shpinë u ndodhën aty pranë. Shqetësimi i tyre u përzje dhe fryu bashkë me erën e ftohtë; njëri, një çunak me balluke dhe me sytë kristal që xixëllonin nga zgjuarsia, u shkëput nga grupi. U shkëput dhe bëri drejt nesh. Kolegët u kujdesën të ishin gati të përballeshin me vetëbesimin e pafajshëm të shkollarit, që u afrua. Fëmija na pa në sy me radhë, por nuk tha asnjë fjalë. Përkundrazi, u ul dhe gjesti i tij u duk si përulje, ndërsa me gishtat e bardhë mori cigaren e hedhur nga kolegu, që lëshonte ende tym dhe me vrap u sul drejt koshit të plehrave.
E solla këtë detaj jo thjesht për të rrëfyer nivelin e lartë të edukimit të fëmijëve në shkollat e Suedisë, por për të ndezur një qiri në errësirën e fatalitetit mes të cilit profesori danez sheh Shqipërinë. Për të thënë se ky qiri mund të shndërrohet në shpresë nëse shumë njerëz përpiqen të ndezin qirinj në hapësirat e meditimeve të tyre. Miliona qirinj të ndezur në shpirtra të bashkuar mund të krijojnë një diell shprese se ky vend, ndryshe nga ç’mendon profesori danez, mund të bëhet ndonjëherë. Pse jo, edhe si Suedia. Por a mund ta kenë këtë vullnet shqiptarët, të ndryshojnë kaq vonë frekuencën e të menduarit dhe vlerësuarit të gjërave? Kush mund ta thotë. Mbase nuk mund ta kenë njëherësh, por kjo nuk do të thotë se s’duhet të përpiqen ta kenë. A mund të krijojë zakone të reja të mira njeriu, në një moshë të lodhur nga tranzicioni? Sigurisht! Mundet! Mjafton të ketë motivim të shëndetshëm. Ekziston një i tillë. Fëmijët. Natyra i ka dhënë njeriut një dhuratë të shenjtë, që është kujdesi instiktiv për fëmijët. Ndryshe ky motivim mund të quhet “frymëzim”. Nëse ashpërsia e jetës na ka viktimizuar me zakone që nuk mund të ndryshohen, të paktën të përpiqemi të edukojmë si duhet fëmijët me zakone të mira. T’i edukojmë të mos bëhen si ne. T’i mësojmë ata se mënyra më e mirë për të respektuar veten është respekti për dijen, natyrën, ambientin ku jetojnë. T’i karikojmë ata me rutinë pozitive. Çdo rutinë pozitive shndërrohet në një zakon të mirë.
Nëse të rriturit shqiptarë tymosin dhe hedhin bishta cigaresh në tokë, s’na mbetet veç të edukojmë të vegjlit të mos pinë duhan dhe të adhurojnë rregullin dhe pastërtinë publike. Nëse shoferët gladiatorë ulërijnë veturat në kryqëzime dhe shkelin rregullat e qarkullimit, të vendosim rregulla të forta, gjoba dhe ligje, por pa harruar të edukojmë fëmijët të respektojnë rregullat e qarkullimit. Nëse pushtetarët e korruptuar e kanë gangrenizuar deri tani shoqërinë, përveç krijimit të një sistemi që nuk do t’u lërë dorë të lirë hajdutëve publikë, t’i çojmë ata para drejtësisë, por njëherësh, t’u tregojmë të vegjëlve tanë se prona publike është e shenjtë dhe nuk duhet të preket nga askush. Ne s’mund t’u fshijmë ashpërsinë fytyrave të lodhura të shqiptarëve, por mund të mbjellim buzëqeshje në fytyrat e pafajshme të fëmijëve të tyre. Nëse e para është ndoshta e pamundur, e dyta është e lehtë, e thjeshtë, e mirë. Buzëqeshja paralajmëron ardhjen e dashurisë midis njerëzve. E ardhmja i takon asaj.
***
Qëllimi im nuk është të moralizoj, por të sjell në vëmendjen publike rëndësinë bërthamore të edukimit në Shqipëri. Ngritja dhe fisnikërimi i brezit të ri duhet të jetë në fokusin kryesor të shoqërisë. Duke qenë kjo epoka e edukimit të vlerave dhe shkollimit, ajo nuk mund të vijë rastësisht. Nevojitet një strategji inteligjente, me fantazi, plane, projekte, dëshira, vullnet dhe besim.
Top Channel