Në Itali prej vitesh po diskutojnë që të ulin numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin elitar. Qëllimi i të gjitha palëve të përfshira është që nga një ligë me 20 skuadra, Seria A të kalojë me vetëm 18 ekipe pjesëmarrëse.
Ulja e numrit të skuadrave do të shërbente për të rritur garën sportive, spektaklin dhe cilësinë e lojës. Çështja mjaft e nxehtë dhe ku debatet nuk mungojnë, është një prej temave të nxehta të Asamblesë së Ligës në Itali.
Por, në një moment kur thuajse të gjitha palët janë në një mendje, ekziston një pengesë. Në reformën për kampionatet profesioniste, ngërçi lidhet me mënyrën si do të ndahen të ardhurat. Praktikisht, të gjithë janë dakord që të reduktohet numri i skuadrave në Serinë A, por me kushtin që përfitimet nga e drejtave televizive të mos ndryshojnë.
Nga ana tjetër, presidenti i Federatës, Tavecchio, pretendon që diferenca të përfshihet në kuotën e reciprocitetit. Me pak fjalë, pengesa kryesore në ndryshimin më të rëndësishëm të kampionatit italian janë paratë.
Megjithatë ngërçin e krijuar, Seria A duket më e vendosur se asnjëherë tjetër që të hedhë themelet e reformës strukturore. Hapi i radhës do të jenë negociatat me klubet e Serisë B dhe kategorive të tjera më të ulëta, duke qenë se ndryshimi do të prekë të gjithë sistemin e futbollit.
Top Channel