Të paktën 27 persona kanë mbetur të vdekur dhe 155 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një klub nate në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, mbrëmjen e së premtes.
Edhe pse nuk është konfirmuar se çfarë e shkaktoi zjarrin, një stacion televiziv lokal njoftoi se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarret. Një dëshmitar i tha televizionit lokal “Realitatea TV” se një fishekzjarr shpërtheu dhe dogji skelën në të cilën ndodheshin materiale piroteknike. Ndërtesa është përfshirë menjëherë nga flakë të mëdha. Ministra e Brendshme Rumanisë ka konfirmuar numrin e viktimave.
“Reuters” raporton se në momentin e shpërthimit në lokal gjendeshin deri në 400 persona.
Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis shkroi menjëherë në profilin e tij në “Facebook” se ai ishte thellësisht i trishtuar nga ngjarja tragjike që ka ndodhur këtë mbrëmje në qendër të Bukureshtit.
“Kjo është një ditë e trishtë për të gjithë ne, për kombin tonë dhe për mua personalisht”, shkroi në “Facebook” Presidenti rumun Klaus Iohannis.
Top Channel