Kandidatët republikanë për president në Shtetet e Bashkuara nuk i kursyen sulmet ndaj njëri-tjetrit në debatin televiziv të së mërkurës, por as ato për median.
Përballja e tretë e këtij lloji vjen në kohën kur kryesuesi i deritanishëm në sondazhe, Donald Trump, ka filluar të humbasë terren përballë neurokirurgut në pension Ben Carson.
Katër sondazhe të fundit tregojnë epërsi të Carson ndaj manjatit të pasurive të patundshme, ndonëse me një diferencë mjaft të vogël.
Sipas anketës së përbashkët të gazetës “New York Times” dhe televizionit CBS News, 64-vjeçari gëzon mbështetjen e 26 për qind të votuesve republikanë në zgjedhjet paraprake, ndërsa Trump renditet i dyti me 22 për qind.
Të dy këta kandidatë nuk kanë asnjë eksperiencë të mëparshme në politikë, një element ky që u shfrytëzua nga guvernatori i Ohajos, John Kasich, i cili dënoi planet e tyre të taksave që siç tha i takojnë botës së fantazisë. Përplasjet në këtë pikë ishin dhe më të fortat e debatit.
“Njerëz, duhet të zgjohemi. Nuk kemi sesi zgjedhim njerëz që nuk marrin vesh nga kjo punë, duhet të zgjidhet dikush që ka eksperiencë, dikush që di sesi të veprojë, që e njeh disiplinën”, deklaroi Kasich.
“Mos harroni se kemi 645 agjenci federale dhe nën-agjenci. Kushdo që më thotë se na nevojitet çdo cent në secilën prej tyre, jeton vetë në një botë fantazie”, reagoi Carson.
Fjalëve të Kasich se, suksesin e kishte gjetur përmes buxheteve të balancuara dhe uljes së taksave, Trump i dha këtë përgjigje:
“Atij thjesht i buzëqeshi fati me fracking-un. Gjeti naftë, i eci. Kjo është e gjitha. Kjo është arsyeja përse në Ohajo gjërat po shkojnë mirë”, tha Trump.
Por luftën kandidatët nuk e patën vetëm me njëri-tjetrin. Që të gjithë ata, si dhe vetë lidershipi i partisë i kritikuan ashpër moderatorët e CNBC që drejtuan debatin me argumentin se pyetjet ishin më të vështira se ato të eventit demokrat.
Përmasat e kampit republikan të zgjedhjeve janë në kontrast të madh me garën e demokratëve, ku kanë mbetur vetëm tre kandidatë: ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton; senatori i Vermontit, Bernie Sanders; dhe ish-guvernatori i Merilandit, Martin O’Malley.
Top Channel