Parlamenti i Nepalit ka zgjedhur gruan e parë presidente, një zgjedhje kjo që shihet si një moment historik për vendin aziatik.
Bidhya Devi Bhandari ka qenë për një kohë të gjatë një aktiviste për të drejtat e grave, ndërsa aktualisht është nënkryetare e Partisë Komuniste të Nepalit.
54-vjeçarja ka qenë gjithashtu ministre e Mbrojtjes nga viti 2009 në 2011. Si presidente ajo ka premtuar se do të luftojë për të drejtat e minoriteteve dhe grave.
Zonja Bhandari zëvendëson në këtë detyrë Ram Baran Yadav, që ishte presidenti i parë i zgjedhur i vendit, në vitin 2008, pas rënies së monarkisë.
Zgjedhja e saj vjen pak kohë pasi Nepali miratoi kushtetutën e re në shtator, me qëllim stabilizimin e vendit, por që u shoqërua me protesta të dhunshme ku humbën jetën të paktën 40 persona.
Kushtetuta përcakton vendin me shumicë hindu një republikë laike të ndarë në 7 provinca federale. Por grupet etnike në jug të vendit duan më shumë territor dhe të drejta për shtetet federale etnike.
Top Channel