Shefi i Shërbimit Sekret britanik, MI5, ka deklaruar se Shteti Islamik po planifikon të kryejë sulme terroriste me viktima në masë në Britani. Andreë Parker, në fjalimin e tij të tretë publik që kur u zgjodh në këtë post përpara dy vitesh, thotë se niveli i kërcënimit ndaj terrorizmit në ishull është më i larti në 32 vitet e fundit.
Sipas tij, Shërbimi Sekret britanik ka mundur të eliminojë gjashtë komplote terroriste vetëm gjatë vitit të fundit. Sulmet terroriste ai i klasifikoi si tre dimensionalë: në Britani, jashtë territorit britanik dhe “online”, ku theksoi se një pjesë mjaft e madhe e punës së Shërbimit Sekret është përqendruar në operacionet në Siri dhe kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik.
“Shteti Islamik përdor mjetet moderne të komunikimit për të shpërndarë mesazhin e vet të urrejtjes dhe për të frymëzuar ekstremistët, deri adoleshentët për të kryer sulme terroriste, sa herë dhe ku të mundin”, tha Parker. Sipas tij, 750 ekstremistë britanikë kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
Ai deklaroi se janë rreth 3 mijë xhihadistë të dyshuar, të cilët përbënin një sfidë të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare në Britani.
Këto komente bëhen vetëm disa ditë përpara se qeveria britanike e kryeministrit Cameron të publikojë një projektligj për aktivitetin e Shërbimeve Sekrete në epokën dixhitale.
Top Channel