“Fiks Fare” e ka ndjekur vazhdimisht problemin e fëmijëve të cilët shfrytëzohen për të lypur në rrugë nga prindërit apo persona të tjerë. Edhe pas një viti situata vazhdon të jetë thuajse e njëjtë. Në rrugët e Tiranës ka ende fëmijë që shfrytëzohen për të lypur.
Studimi kombëtar i vitit 2013, kryer nga UNICEF-i, “Save the Children” dhe organizata shqiptare “ARSIS”, identifikoi mbi 2.500 fëmijë në situatë rruge në Shqipëri. Studimi tregoi, gjithashtu, se më shumë se 800 prej tyre rrezikohen të trafikohen, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e të shfrytëzohen për prostitucion, punë të detyruar, lypje apo krime të vogla. 70% e këtyre fëmijëve i përkasin komunitetit rom.
“Fiks Fare” bëri një vëzhgim gjatë orëve të vona të natës. Në qendër të Tiranës, në cep të pallatit të kulturës, përbri xhamisë një grua ishte duke lypur me një fëmijë të vogël në dorë. “Fiksi” njoftoi policinë për të parë se çfarë masash do të merrte kjo e fundit.
Ora: 23:40
129: Policia e Shtetit Tiranë, si mund t’ju ndihmojmë?
Fiksi: Mirëmbrëma, marr për t’ju njoftuar që tek Pallati i Kulturës ndodhet një grua duke lypur me fëmijë të vogël…
129: Tek pallati i kulturës është një grua me një fëmijë të vogël që po lypin!
Fiksi: Po.
129: Ok. Po dërgoj një patrullë.
Fiksi: Faleminderit!
Pas pak
Pranë gruas u afrua një efektiv i policisë dhe ndërkohë që efektivi po iu ndihmonte disa të huajve, një tjetër afrohet dhe i jep zonjës disa të holla. Gruaja me fëmijën në dorë shkon në lulishten përballë Muzeut Kombëtar.
Gazetarja: Mirëmbrëma, si jeni? Si ja kaluat?
Gruaja: Mirëmbrëma.
Gazetarja: Këtu rrini ju? Këtu flini?
Gruaja: Po.
Gazetarja: Me gjithë fëmijën?
Gruaja: Po.
Gazetarja: Përditë?
Gruaja: Kemi dy muaj që flemë kështu.
Gazetarja: Po pse flini këtu?
Gruaja: Po s’kemi shtëpi!
Gazetarja: Nuk keni vajtur pranë bashkisë? Nuk jeni interesuar?
Gruaja: Ncum…
Gazetarja: Më falni se edhe ju shqetësova…!
Gruaja: Po jo, se ai (burri) po fle se është edhe në punë.
Gazetarja: Ku punon?
Gruaja: Në bashki. Fshesa. Dy javë ka që është futur.
Gazetarja: Nga jeni ju? Nga keni ardhur?
Gruaja: Nga Berati.
Gazetarja: Keni kohë që keni ardhur?
Burri: 20 vjet.
Gazetarja: Po keni pasur shtëpi ndonjëherë?
Burri: Po kemi pasur shtëpi atje. Këtu kemi ndenjur me qira ne.
Gazetarja: Sa paguhesh tani që ke filluar punë te bashkia?
Burri: 180…
Gruaja: Akoma nuk e ka marrë rrogën e parë. Ai dy javë ka që ka filluar.
Gazetarja: Sa vjeç e keni çunin?
Gruaja: 1-vjeç. Në spital e kisha tre ditë. U ftoh, e kisha sëmurë. Kam pesë fëmijë. Të katër i kam tek jetimorja. Po bën një vit.
Gazetarja: T’i kanë marrë?
Gruaja: Po. Shkoj dy herë në muaj për t’i takuar, se kaq ma kanë lejuar.
Gazetarja: Çfarë të tha tani polici?
Gruaja: Çohu tha, se nuk lejohet. Na kanë marrë në telefon se je në mes të qendrës. Po i thashë unë, çohem.
Gazetarja: Sa vjeç je?
Gruaja: 28.
Gruaja: Të më fut në punë, më fut fëmijët në çerdhe, atëherë më vrit, më fut brenda nëse më sheh në rrugë. Nuk lejohet me fëmijë rrugëve… po për të fjetur në lulishte a lejohet fëmija?
Gazetarja: Jo, nuk lejohet.
Gruaja: Na kanë parë policët edhe nuk na kanë ngacmuar.
Gazetarja: Natën e mirë.
Gruaja: Këtu na ke. Ose tek piramida, ose këtu vërdallë.
Ndër institucionet të cilat nënshkruan në qershor të këtij viti një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre për zgjidhjen e këtij problemi ishin: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njësitë e qeverisjes vendore, Ministria e Brendshme, Shërbimi Social Shtetëror dhe Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve të cilat punojnë çdo ditë për evidentimin e këtyre rasteve dhe më pas koordinimin me institucionet përgjegjëse për largimin e tyre nga rruga.
Ministri Klosi për kamerën e “Fiks Fare” tregon se zgjidhja e këtij problemi është shumë vështirë.
Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale: Ky është një problem që përmirësohet, por vështirë të shkojë drejt zgjidhjes përfundimtare sado që ne premtojmë nëpër konferenca, seminare apo kur flasim me ju. Është një problem që shoqëria duhet të jetë më shumë e involvuar, natyrisht për ata fëmijë që ju keni parë, prindërit nuk lejohen në asnjë mënyrë që t’i nxjerrin fëmijët për të lypur. Për këtë ka edhe legjislacion në fuqi që shkon në ndjekje të procedurave për prindërit, po ashtu do të duhet të deklarohet pranë shërbimeve sociale të cilët duhet të marrin në kujdesje fëmijën. Jemi përpjekur që në bashkëpunim me pushtetin vendor i cili e ka detyrë specifike evidentimin e këtyre rasteve. Çdo njeri që shikon një prind që nxjerr një fëmijë për të lypur duhet të njoftojnë autoritetet.
Fiksi: Po me policinë keni bashkëpunim, pasi ata kalojnë dhe nuk bën asgjë.
Blendi Klosi: Është një fenomen që nuk mund të themi asnjëherë se e kemi zgjidhur.
Në të gjithë vendin, në varësi të bashkive, ka rreth 200 njësi për mbrojtjen e fëmijëve. Ato duhet të kryesojnë përpjekjet për të siguruar që fëmijët, viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit, të marrin kujdesin dhe mbrojtjen e duhur. Fatkeqësisht, vetëm disa prej tyre funksionojnë plotësisht.
Vetëm në Tiranë, në 12 muajt e fundit, janë identifikuar rreth 350 fëmijë në situatë rruge. Janë larguar nga rruga vetëm 160 prej tyre. Mosfunksionimi real i njësive pranohet edhe nga kryetari i ri Bashkisë Tiranë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Ajo që mund të bëjmë si bashki është që së pari të vëjmë në funksion njësitë e mbrojtjes së fëmijës, që për 4 vitet e fundit nuk kanë funksionuar asnjë.
Por, cili është roli që duhet të luaj Policia e Shtetit? A duhet kjo e fundit të qëndrojë indiferente, siç ndodh rëndom, edhe në rastet që “Fiks Fare” ka sjellë, apo duhet te veprojë?
Anila Trimi, drejtoreshë Drejtoria e Antitrafikut, MB: Gjëja e parë që një punonjës policie duhet të bëjë që në rast se nuk i përkasin strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, duhet menjëherë të njoftojnë koordinatorin që kanë pranë drejtorive vendore të policisë me qëllim që skuadrat e terrenit që i përkasin kësaj ministrie të ndërhyjnë. Pra, të marrin dhe të trajtojnë fëmijën nga ana sociale. Në rastet kur ata do të jejnë refuzues, kur kemi të bëjmë me rastet kur fëmijët shfrytëzohen nga familjarët e tyre, do t’i referohemi edhe Kodit Penal për të kryer hetime dhe për të referuar veprën penale pranë Prokurorisë.
“Fiks Fare” shpreson që ky bashkëpunim ndërinstitucional të jetë më efektiv në zgjidhjen e këtij fenomeni, ndërsa premton që do ta ndjekë si problem deri sa këta fëmijë të luajnë e mësojnë dhe jo të zgjasin dorën apo të shfrytëzohen për të lypur.
Top Channel