F1, nis lufta për vendin e dytë

29/10/2015 11:50

Pas mbylljes së të gjitha llogarive për titujt botërorë për konstruktorë dhe pilotë, tashmë në Formulën 1 do të nisë “lufta” për atë që do të renditet në vendin e dytë dhe beteja është mes Sebastian Vettel e Nico Rosberg.

Piloti gjerman dhe Ferrari i tij në garën e Ostin treguan se janë aty, edhe pse në Teksas ata u penalizuan për shkak të ndërrimit të motorit. Këtë fundjavë do të garohet në Meksikë, pistë që kthehet në Formulën 1 pas 23 vitesh, vetëm se këtë radhë ajo vjen e modifikuar, moderne dhe më spektakolare, por pa kthesën mitike të cilësuar “La Peraltada”, ku në vitet ‘90 Mansell bëri një parakalim drithërimash ndaj Berger.

Në tribuna do të jenë 150 mijë tifozë, të cilët sytë do t’i kenë te meksikani Sergio Perez, megjithatë Ferrari ka ndikimin e tij. Vettel do të vijë në këtë garë me 4 pikë më shumë se Rosberg dhe do të tentojë ta rrisë diferencën për të siguruar këtë vend të dytë që do të jetë mëse i merituar, duke parë sezonin që po zhvillon.

Katër herë kampioni i botës në Meksikë duket se do të ndihmohet edhe nga motori i ri që përdori në garën e Teksasit, i cili rezultoi efikas, si dhe paketa aerodinamike. Kjo e fundit mund të ketë efekt më të madh, pasi gara do të zhvillohet në një pistë që është 2250 metra mbi nivelin e detit.

Një tjetër aspekt pozitiv që u pa në SHBA ishte se me modifikimet e reja aerodinamike, gomat arritën menjëherë temperaturën edhe në asfaltin e ftohtë teksan, gjë që pritet të ndodhë edhe në Meksikë. Por Ferrari në këtë fundjavë do të presë shumë edhe nga Kimi Raikkonen, ndërkohë që ka filluar të mendojë për të ardhmen.

Tashmë, nuk është mister që “Kokëkuqja” po mendon për Verstappen. Duke njohur Arrivabenen, mund të thuhet se ka pasur bisedime dhe janë hedhur bazat në lidhje me këtë çështje, por pavarësisht kësaj, ende nuk është vendosur asgjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA