Hije trukimi për Skënderbeun, Laçin e Flamurtarin

28/10/2015 18:00

Skuadra e Skënderbeut përfshihet sërish në lupën e FederBet për trukim të ndeshjeve. Këtë herë bëhet fjalë për takimin më të fundit të korçarëve në Ligën e Europës, të humbur në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës me rezultatin 5-1.

Përmes një komunikate, veçmas raportit të saj vjetor, FederBet thotë se ka dyshime të forta se ndeshja e zhvilluar në Lisbonë ishte e trukuar. Në këtë përfundim, kjo organizatë mbërrin nga fakti se në pjesën e dytë të takimit, kompanitë e basteve në vend të rritjes së koeficionit për “Over 2.5” e ulën atë.

FederBet thotë se anomalia e gjetur ka të njëjtën strukturë si në dy rastet e mëhershme kur është përmendur Skënderbeu.

“Që prej 2002 e dimë për ndeshje të dyshimta në kompeticionet europiane, ku në më të shumtën e rasteve janë përfshirë skuadra shqiptare”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i FederBet, Francesco Baranca, i cili sqaroi se organizata që ai përfaqëson po punon për të dorëzuar një dosje me ndeshjet e dyshimta në gjykatë, me “shpresën se drejtësia do të ketë sukses aty ku federatat po dështojnë”.

Ndërkohë, përveç këtij rasti, Skënderbeu përmendet edhe në raportin vjetor të FederBet. Bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, ajo e zhvilluar me belgët e Ostendes në muajin janar të këtij viti, ku kampionët e Shqipërisë humbën 0-4.

Sa u përket skuadra të tjera të përmendura në raport, ato janë dy; Laçi dhe Flamurtari.

Kurbinasit citohen në raport për dy ndeshje të Ligës së Europës; të parën ndaj sllovenëve të Velenjes e zhvilluar në Shqipëri dhe e mbyllur në barazim 1-1. Ndeshja tjetër, për të cilën Federbet akuzon fituesit e Kupës së Shqipërisë për trukim, është ajo me ukrainasit e Zorya-s, e zhvilluar po në Shqipëri dhe e mbyllur me rezultatin 0-3.

Flamurtari dyshohet për ndeshjen e zhvilluar ndaj gjeorgjianëve të Bolnisit, e zhvilluar po në Shqipëri dhe e fituar nga miqtë me rezultatin 1-2.

Dyshimet për trukime, FederBet i bazon në lëvizjen e koeficientëve dhe të shumave të parave të vendosura gjatë lojës “live” për këto ndeshje.

Kjo nuk është hera e parë që skuadrat shqiptare përfshihen në një raport të kësaj organizate për dyshime trukimi, megjithatë, këtë vit mund “të ngushëllohemi” me faktin që FederBet vëren në raportin e vet se fenomeni i trukimit të ndeshjeve është rritur në përmasa alarmante, duke prekur edhe kampionate të mëdha të Europës.

FederBet thotë se në Greqi dhe Portugali, trukimi i ndeshjeve shihet si zgjidhje e mirë në kohë krize dhe fenomeni ka përfshirë skuadra me emër në kampionatet vendase, si Panathinaikos, Olimpiakos, Benfika e të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA