Emigrantët, Europa ashpërson masat

28/10/2015 17:00

Europa po ashpërson masat për të ndalur fluksin e madh të emigrantëve që vërshon çdo ditë në portat e kontinentit të vjetër. Austria njoftoi planet për të ndërtuar ato që i quan barriera teknike në kufirin me Slloveninë, për të kontrolluar mijëra emigrantë që po hyjnë në territorin e saj.

Ky vendim merret vetëm pak ditë pasi Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Juncker i kërkoi shteteve anëtare të mos merrnin aksione të njëanëshme për të luftuar krizën. Ministrja e Brendshme austriake, Johana Mikl-Leitner tha se kjo ishte një masë parandaluese kundër numrit në rritje të emigrantëve. 

“Natyrisht që ne nuk do të ndërtojmë një gardh nga Hungaria ne Slloveni e Austri. Do të ishte jo realiste të ndërtoje një gardh prej 700 km. Por ne duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët e kufirit dhe të planifikojmë masa strukturore për të garantuar një hyrje të kontrolluar”, u shpreh Mikl-Leitner.

Ajo tha se situata ishte veçanërisht dinamike. Në vetëm një ditë, nga 3 deri në 8 mijë persona kishin kaluar kufirin, dhe ata duhet te ishin të përgatitur në rast se numri i të ardhurve do të shkojë në 12 mijë.

Ndërkohë Gjermania ka përshpejtuar deportimet e personave të cilëve u është refuzuar azili, mes të cilëve ka edhe shumë shqiptarë. 83 persona u kthyen të martën në Kosovë.

Lideri i qeverisë rajonale të Bavarisë, rajoni i të cilit po mban edhe barrën më të madhe të valës së refugjatëve në Gjermani. Mbi 680 mijë azilkërkues që duan të shpëtojnë luftrave dhe varfërisë në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi, kanë mbërritur në Europë këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA