Eksportet u tkurrën sërish, INSTAT: Në shtator, 4.4% më të ulëta se një vit më parë

28/10/2015 19:40

Instituti i Statistikave raportoi këtë të mërkurë se eksportet në vend u tkurrën sërish në shtator, duke qenë 4.4 për qind më të ulëta se një vit më parë. Të dhënat zyrtare tregojnë se ky është muaji i tretë me radhë që eksportet shënojnë rënie, një tendencë e nisur që në verë.

Si rezultat, në total për 9-mujorin vlera e mallrave që kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë është ulur nga 192.8 miliardë lekë që ishte vjet, në 185.7 miliardë lekë këtë vit.

Eksportet vijojnë tkurrjen:
9-mujori 2014: 192.8 mld lekë;
9-mujori 2015: 185.7 mld lekë, rënia 3.7%

Shifrat tregojnë se ecuria negative e eksporteve këtë vit është diktuar kryesisht nga artikujt e grupit energjitik, si nafta dhe mineralet për shkak të konjukturës së pafavorshme në tregjet ndërkombëtare. Vetëm në këto produkte Shqipëria ka ekzportuar për këtë nëntëmujor 15 miliardë lekë më pak se vjet, ndërkohë që në zërat e tjerë ecuria e eksporteve ka qenë më pozitive veçanërisht në artikujt bujqësorë, eksportet e të cilëve janë rritur me gati 29 për qind, ose 3 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Ecuri e mirë në eksportet bujqësore:
9-mujori 2014: 10.8 mld lekë;
9-mujori 2015: 13.9 mld lekë, rritja 28.7%

Përgjatë nëntëmujorit shkëmbimet tregtare paraqesin një situatë të ngjashme shtrëngimi edhe në kahun tjetër, atë të importeve, ndonëse me ritme më të buta. Sipas INSTAT, në periudhën janar-shtator të këtij viti importet totale ishin 392 miliardë lekë, një shifër kjo 1.4 për qind më e ulët sesa një vit më parë.

Në rënie edhe importet:
9-mujori 2014: 397.6 mld lekë;
9-mujori 2015: 392    mld lekë, rënia 1.4%

Edhe në kahun e importeve rënien më të madhe e ka zëri i energjisë, për shkak të situatës më të mirë hidrike në vend, por edhe rënies së çmimit të karburanteve. Goditja e sektorit të naftës dhe mineraleve ishte një nga arsyet kryesore përse FMN e uli vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë nga 3 në 2.7 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA