Amnesty International: Australia, fajtore për mbytjen e refugjatëve

28/10/2015 20:40

Teksa shtetet e Bashkimit Europian po përplasen për kuotat e refugjatëve që duhet të pranojnë, qeveria e Australisë e ka gjetur me kohë mënyrën për t’i paraprirë një situate të tillë.

Raporti më i fundit i Amnesty International tregon se refugjatët janë ndaluar që të hyjnë në tokën australiane. Detajet e raportit flasin se zyrtarët e këtij kanë paguar trafikantët që t’i kthejnë mbrapsht refugjatët dhe madje kanë kërcënuar këta të fundit.

Referuar incidentit të muajit maj, ku 65 pasagjerë të nisur për në Australi u kthyen drejt Indonezisë, Amnesty thotë se ka intervistuar të gjithë udhëtarët, të cilët kanë rrëfyer se autoritetet australiane u kanë dorëzuar mbi 32.000 dollarë për t’u kthyer mbrapsht.

Më pas pasagjerët u ndanë në dy varka të vogla për t’u kthyer ne Indoznezi, por fatkeqësisht njëra prej tyre u mbyt në afërsi të një ishulli duke shkaktuar dhjetëra viktima.

Raporti gjithashtu spekulon se zyrtarët kanë paguar një tjetër ekuipazh, duke shënuar një incident të dytë më 25 korrik, bazuar këtu në dëshminë e 15 azilkërkuesve të mbijetuar. Këto ishin edhe rastet që ngriten grupet e hetimit, lidhur me këto marifete.

Por pas këtij raporti, qeveria në Kanberra mohoi të gjitha akuzat. Australia ka një politikë të ashpër dhe një tolerancë zero ndaj refugjatëve të cilët e kanë parë atë si tokën e premtuar.

Në vitet e fundit asnjë prej tyre nuk është lejuar të hyjë në territorin e vendit. Ata janë kthyer në vendet e origjinës, ose janë dërguar në vendet fqinje të Paqësorit.

Ndërkohë, ish-kryeministri australian Tony Abbott disa ditë më parë iu sugjeroi zyrtarëve europianë të bëjnë të njëjtën gjë me rrjedhën e refugjatëve që hyjnë në kontinentin e vjetër. “Pranimi i tyre do të kërkojë fuqi, logjistikë dhe shpenzime masive”, tha ai.

Qeveria e Abbott është ajo që akuzohet nga AI se ka zbatuar politikën e rreptë për azilkërkuesit. Megjithatë, organizata është e vendosur ta çojë çështjen deri në fund, duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA